Ndahet nga jeta dizajneri i modës, Xhorxho Armani
- Dizajneri italian i modës, Xhorxho Armani është ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare, njoftoi sot shtëpia e modës në rrjetet sociale.
- Post By Qefsere Abduli
- 16:50, 4 shtator, 2025
Romë, 4 shtator 2025 (MIA) - Dizajneri italian i modës, Xhorxho Armani është ndarë nga jeta në moshën 91 vjeçare, njoftoi sot shtëpia e modës në rrjetet sociale.
Ai punoi deri në ditët e tij të fundit dhe vdiq i rrethuar nga të afërmit e tij, thuhet në deklaratën e lëshuar, transmeton DPA.
Armani ishte një nga dizajnerët më me ndikim në botë në fushën e modës.
I lindur më 11 korrik të vitit 1934 në Pjaçencë, Italinë veriore, familja e tij e shpërngulur në Milano pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të shkollës së mesme, vazhdoi studimet për mjeksi, por i la pas dy vitesh.
I njohur si "Principe della Moda" (Princ i modës), Armani ishte fëmija i dytë i një amviseje dhe një punonjësi transporti.
Nëna e tij i kushtonte shumë rëndësi veshjes, madje edhe gjatë kohës së luftës. Por, gjyshi i tij, i cili punonte si grimier dhe bënte paruke në teatrin komunal, me shumë gjasa ka pasur ndikim më të madhë në shijen e tij për modën gjatë rinisë.
Vitin e kaluar, Armani mendonte për largimin në pension dhe për gazetën italiane Corriere della Sera deklaroi se planifikon të drejtojë kompaninë e tij edhe disa vite të tjera.
Krijimet e tij, shpesh të përshkruara si të rehatshme dhe të thjeshta, ndërsa megjithatë elegante, janë veshur në shumë tapete të kuqe, përfshirë edhe nga yje të Hollivudit si Riçarad Gir, Kevin Kostner, Nikol Kidman dhe Kejt Blanshet. qa/
Foto: DPA