Ndërron jetë Slaj Stoun, legjenda që revolucionarizoi muzikën
- Slaj Stoun, këngëtari, producenti dhe multi-instrumentisti që me grupin e tij “Sly and the Family Stone” ka ndikuar thellësisht në muzikën pop, funk dhe rok gjatë viteve ’60 dhe ’70, ka vdekur në Los Anxhelos në moshën 82-vjeçare.
- Post By Fami Bajrami
- 13:53, 10 qershor, 2025
Uashington, 10 qershor 2025 (MIA)- Slaj Stoun, këngëtari, producenti dhe multi-instrumentisti që me grupin e tij “Sly and the Family Stone” ka ndikuar thellësisht në muzikën pop, funk dhe rok gjatë viteve ’60 dhe ’70, ka vdekur në Los Anxhelos në moshën 82-vjeçare.
The New York Times ka raportuar se shkaku i vdekjes ishte një sëmundje e gjatë pulmonare (COPD).
I njohur për përzierjen novatore të muzikës soul, R&B, gospel dhe rok psikodelik, Stoun ka udhëhequr një grup ku përfshiheshin njerëz të racave e gjinive të ndryshme, duke sjellë mesazhe uniteti dhe ndryshimi shoqëror me këngë si “Everyday People”, “Dance to the Music” dhe “I Want to Take You Higher”, transmeton Koha.net.
Ndikimi i tij mbetet i pashlyeshëm, duke frymëzuar artistë si George Clinton, Prince, Michael Jackson, grupi Outkast dhe D’Angelo.
“Ishte një ndarje mes muzikës afromamerikane para dhe pas Sly Stone”, ka thënë kritiku Joel Selvin.
Në vitet e fundit, figura e tij u rikthye në vëmendje falë dokumentarëve të realizuar nga Questlove, përfshirë “Summer of Soul” dhe “Sly Lives!”.
I lindur si Sylvester Stewart në Texas, ai u rrit në Kaliforni duke kënduar muzikë gospel me familjen e tij. Në adoleshencë u bë yll lokal dhe u shqua si DJ progresiv që përçonte mesazhin se muzika nuk duhej të kishte ndarje racore.
Në kulmin e karrierës, Stoun u tërhoq nga skena, duke u përballur me varësi dhe probleme personale.
Ai ka jetuar për vite me radhë në një karavan, duke refuzuar të kthehej në jetë “të qëndrueshme”.
“Më pëlqen të lëviz gjithmonë”, pati shkruar ai në autobiografinë e tij “Thank You (Falettinme Be Mice Elf Agin)”, botuar në vitin 2023.
Pavarësisht problemeve financiare dhe shëndetësore, Slaj Stoun u shqua si ikonë e padiskutueshme. “Nëse njerëzit do të marrin ndonjë mësim nga jeta ime, dua të jetë vetëm një: muzika, vetëm muzika”, pati shkruar ai.
Foto: EPA