• e enjte, 15 maj 2025

Ndërprerja masive e energjisë elektrike në Gadishullin Iberik u shkaktua nga një defekt në lidhjen ndërsektoriale midis Francës dhe Spanjës

Ndërprerja masive e energjisë elektrike në Gadishullin Iberik u shkaktua nga një defekt në lidhjen ndërsektoriale midis Francës dhe Spanjës

Madrid, 29 prill 2025 (MIA) - Ndërprerja e madhe e furnizimit të energjisë që paralizoi dje Gadishullin Iberik, u shkaktua nga një humbje e papritur prej 15 gigavatë energji elektrike në rrjetin spanjoll në afat vetëm prej pesë sekondave, gjë që shkaktoi prishje të lidhjes ndërsektoriale ndërmjet rrjeteve elektrotransmetuese të Spanjës dhe Francës. Sipas operatorit të rrjetit spanjoll REE, rrjetiet evropiane të energjisë nuk janë projektuar për t'u përballur me humbje të tilla të papritura, të cilat rezultuan me kolaps në furnizimin me energji elektrike në Spanjë dhe pjesë të Portugalisë.

Eduardo Prieto, udhëheqës i operacioneve të sistemit në REE, deklaroi se një disbalans serioz në prodhimin e energjisë shkaktoi ndërprerje në lidhjen midis rrjeteve spanjolle dhe franceze, që shkaktuan ndërprerjen masive.

Më herët, kryeministri spanjoll Pedro Sançez, në një fjalim televiziv drejtuar kombit tha se "shkaqet e sakta ende janë duke u hetuar dhe asnjë hipotezë nuk përjashtohet". Ai theksoi se gjysma e territorit të Spanjës përsëri është me energji elektrike, pasi operatori i rrjetit arriti të stabilizojë shpërndarjen pas një ndërprerjeje të madhe që dje paralizoi Gadishullin Iberik.

Në pjesët tjera të vendit priet furnizimi i energjisë të rikthehet gjatë ditës.

Kryeministri i Portugalisë, Luish Montenegro, megjithatë, më herët tha se nuk kishte indikacione për një sulm kibernetik dhe pret rivendosjen e plotë të furnizimit me energji elektrike në orët e ardhshme.

Ndërprerja shkaktoi kaos në dy vendet, me fluturime të anuluara, ndërprerjen e transportit publik, sistemet e metrosë në Lisbonë, Porto dhe Madrid, si dhe ndërprerjen e punës së semaforëve. Spitalet u detyruan të anulonin operacionet e planifikuara dhe të mbështeteshin te gjeneratorët rezervë për raste emergjente. Në Spanjë, rajonet autonome Madridit, Andaluzi dhe Estramadura kanë kërkuar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa Ministria spanjolle e Punëve të Brendshme ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në këto zona.

Rivendosja e furnizimit me energji elektrike filloi dje pasdite në rajonet e Baskisë dhe Barcelonës, ndërsa më pas edhe në Madrid dhe në qendër të Lisbonës.

Ndërkohë, paniku në Madrid shkaktoi radhë të gjata në supermarkete dhe rafte bosh, ndërsa një pjesë e metrosë u evakuua pasi që qytetarët mbetën të bllokuar në vagonë dhe ashensorë. Banka e Spanjës kumtoi se bankaria elektronike funksionon përmes sistemeve rezervë, megjithëse qytetarët raportuan se bankomatët nuk funksionojnë siç duhet. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR