Navrocki në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së: Polonia është e gatshme ta mbrojë territorin e saj
- Presidenti i Polonisë, Karol Navrocki mbrëmë, në fjalimin e tij në ditën e parë të debatit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, deklaroi se vendi i tij do të jetë i gatshëm ta "mbrojë territorin e vet" pas ndërhyrjeve të fundit të dronëve rusë në hapësirën ajrore të anëtarëve të NATO-s dhe BE-së.
Nju Jork, 24 shtator 2025 (MIA) - Presidenti i Polonisë, Karol Navrocki mbrëmë, në fjalimin e tij në ditën e parë të debatit të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, deklaroi se vendi i tij do të jetë i gatshëm ta "mbrojë territorin e vet" pas ndërhyrjeve të fundit të dronëve rusë në hapësirën ajrore të anëtarëve të NATO-s dhe BE-së.
"Polonia gjithmonë do të reagojë në mënyrë të përshtatshme dhe është e gatshme ta mbrojë territorin e saj (...) Populli polak dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore nuk do të frikësohen nga dronët rusë", theksoi Navrocki në fjalimin e tij në KB në Nju Jork.
"Nuk do të lejojmë veprime provokuese të Moskës kundër neve dhe kombeve të tjera, të cilat i testojnë reagimet tona dhe i frikësojnë shoqëritë tona", shtoi presidenti polak.
Për më pak se dy javë, Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Polonisë, Rumanisë dhe Estonisë me dronët e saj dhe avionët luftarakë. Moska e mohoi këtë dhe akuzoi shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s për pretendime të rreme.
Ministrat e Punëve të Jashtme të grupit G7 (SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe) u takuan dje në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së dhe në një deklaratë të përbashkët e dënuan depërtimin rus në territoret e shteteve anëtare të NATO-s si „"të papranueshëm", duke shtuar se Moska "po minon sigurinë ndërkombëtare". qa/
Foto: EPA