NATO do të takohet nesër me kërkesë të Estonisë, pasi Rusia sulmoi hapësirën e saj ajrore
- Përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nesër në Bruksel me kërkesë të Estonisë pas ndërhyrjes ruse në hapësirën ajrore të këtij vendi baltik, njoftoi sot një zyrtar i Aleancës.
- Post By Sara Ademi
- 13:40, 22 shtator, 2025
Bruksel, 22 shtator 2025 (MIA) - Përfaqësuesit e 32 vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nesër në Bruksel me kërkesë të Estonisë pas ndërhyrjes ruse në hapësirën ajrore të këtij vendi baltik, njoftoi sot një zyrtar i Aleancës.
Takimi i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel ambasadorësh do të mbahet në kuadër të Nenit 4 të traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime midis aleatëve në rast kërcënimesh ndaj njërit prej anëtarëve të tij.
Tre aeroplanë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë të premten dhe qëndruan atje për 12 minuta, duke shkaktuar protesta nga NATO dhe Bashkimi Evropian për atë që ata e përshkruan si "provokime" të reja ruse, ndërsa Moska mohoi çdo shkelje të hapësirës ajrore.
Këshilli i Sigurimit i KB-së do të mbajë një takim urgjent sot në përgjigje të shkeljes flagrante të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, njoftoi të premten Ministria e Jashtme e Estonisë.
Ky inkursion ndodhi pasi Polonia, gjithashtu një anëtare e NATO-s, njoftoi në fillim të shtatorit se dronët rusë kishin shkelur vazhdimisht hapësirën e saj ajrore gjatë sulmit ndaj Ukrainës, të cilin Varshava e dënoi si "agresion". sa/
foto: DPA