• e premte, 05 dhjetor 2025

NATO: Dënojmë ashpër aktivitetet kibernetike të Rusisë

NATO: Dënojmë ashpër aktivitetet kibernetike të Rusisë

Bruksel, 18 korrik 2025 (MIA) - NATO sot kumtoi se ashpër i dënon aktivitetet kibernetike dashakeqe të Rusisë të cilat paraqesin kërcënim për sigurinë e aleatëve perëndimorë dhe i bëri thirrje Moskës të ndalojë me veprimet e saj destabilizuese.

Në kumtesën e publikuar në ueb faqen e NATO-s, Këshilli Veriatlantik thekson se Estonia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja kohët e fundit ia atribuan shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse (GRU) aktivitetet kibernetike keqdashëse që synonin disa anëtarë të NATO-s dhe Ukrainën.

Ky trup kryesor i NATO-s për vendimmarrje politike kujton se Gjermania dhe Republika Çeke në vitin 2024 ia atribuan individualisht aktivitetet e tilla grupit rus të hakerave APT 28, të financuar nga GRU dhe shton se "me shqetësim vëren se subjekte të tjera qeveritare, operatorë të infrastrukturës kritike dhe subjekte të tjera në gjithë aleancën janë shënjestruar nga i njëjti aktor".

"Sulmet e vazhdueshme ndaj infrastrukturës sonë kyçe me ndikime të dëmshme në sektorë të shumtë, ilustrojnë se si kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride më të gjera janë bërë mjet i rëndësishëm në fushatën e Rusisë për të destabilizuar aleatët dhe luftën brutale dhe të paprovokuar të agresionit rus kundër Ukrainës", theksoi Këshilli Veriatlantik.

Këshilli i bëri thirrje Rusisë "të ndërpresë aktivitetet destabilizuese kibernetike dhe hibride, të cilat tregojnë shpërfilljen e Rusisë për kornizën e Kombeve të Bashkuara për sjellje të përgjegjshme të shtetit në hapësirën kibernetike të cilën Rusia pretendon se e respekton".

"Veprimet ruse nuk do ta pengojnë mbështetjen e aleatëve për Ukrainën. Do të vazhdojmë të përdorim leksionet nga lufta kundër Ukrainës për të luftuar aktivitetet kibernetike dashakeqe të Rusisë", shton Këshilli.

Ky trup thekson dhe se NATO është e përkushtuar ndaj hapësirës kibernetike të lirë, të hapur, paqësore dhe të sigurt dhe u bën thirrje të gjitha shteteve duke përfshirë dhe Rusinë, që të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare dhe të veprojnë në përputhje me korrnizën e KB-së për sjellje të përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike.

"Mbetemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të kundërshtuar dhe sfiduar aktivitetet kibernetike dashakeqe ruse për të investuar në mbrojtjen tonë. Jemi të vendosur të përdorim të gjitha kapacitetet për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar të gjithë spektrin e kërcënimeve kibernetike. Do t'u përgjigjemi atyre në një kohë dhe në një mënyrë që ne do ta zgjedhim në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar" duke përfshirë dhe BE-në", theksuan nga Këshilli Veriatlantik. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR