• e shtunë, 21 dhjetor 2024

"Nacionale": Ura e Ibrit do të hapet disa orë në ditë, si fazë e parë

Prishtinë, 18 gusht 2024 (MIA) - Hapja "disa orë në ditë" si faza e parë e hapjes së urës mbi lumin Ibër, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në një pjesë jugore, të banuar me shumicë shqiptare dhe një pjesë veriore, me shumicë serbe, mund të jetë një nga opsionet që po shqyrtohet seriozisht në diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe ambasadave të grupit Quint, shkruan sot portali "Nacionale".

Siç transmeton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, portali kupton se kjo si një "kompromis" nisës mes dy pozicioneve diametralisht të kundërta: në njërën anë KFOR-it që s’ka dhënë kurrëfarë indikacioni të zhvendosjes së pranisë së stacionuar të saj mbi Urën e Ibrit dhe qeverisë kosovare që hapjen e saj e ka dhënë për fakt të kryer; si "çështje të mbyllur, vendim të marrë" (Sveçla).

"Nacionale" ka provuar të marrë një konfirmim nga Qeveria e Kosovës se a po diskutohet kjo "hapje disa orëshe në ditë...si fazë e parë"; për të mos marrë as konfirmim e as demantim.

"Kontaktuam edhe BE-në edhe një vend të QUINT-in, gjithashtu për të mos gjetur konfirmim e as demantim. Njëjtë edhe nga Presidenca, as pohim e as mohim", shkruan mediumi i Prishtinës.

Sipas këtij skenari në vend të bllokadës së betonit në pjesën fundore (veriore) të Urës së Ibrit paramendohen të vendosen bllokada automatike që aktivizohen në nivel të rrugës: i.e hapen/mbyllen në kohën e caktuar të lejuar.

Hapja e Urës së Ibrit thjesht-ashtu e synuar nga Qeveria e Kosovës gjeti rezistencë të madhe ndërkombëtare, e madje, siç kupton Nacionale, KFOR-i do të mund të merrte qasje "vazhdimisht bllokuese" nëse do të hapej ura krye-më-vete. Megjithatë, duket se bisedimet kanë marrë një trajtë të gjetjes së një mesi.

Supozohej që me t’u kryer vlerësimi teknik i qëndrueshmërisë së Urës së Ibrit, do të procedohej me hapjen e saj; por që qëndrimet e rrepta kundër nga QUINT-i bënë që Qeveria e Kosovës atë raport ta frazojë veçse si "raport preliminar".

"QUINT-i dhe KFOR-i nuk janë shprehur kundër hapje së urës per-se, por vetëm në mënyrën e zgjedhur të qeverisë kosovare e cila, siç rëndom bën, kishte flakur tutje çfarëdo shqetësimi sigurie të artikuluar nga ta. Bashkimi Evropian beson madje beson ta fus atë edhe në agjenden e bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel; ndonëse çështja e saj supozohet të jetë konkluduar qysh në vitin 2016", shkruan "Nacionale". ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR