• e premte, 05 dhjetor 2025

Nëse India dhe Pakistani përdorin armë bërthamore, do të pasojë armagedon

Nëse India dhe Pakistani përdorin armë bërthamore, do të pasojë armagedon

 Nju-Delhi/Islamabad, 7 maj 2025 (MIA) - India dhe Pakistani janë fuqi bërthamore në një konflikt aktual, ndërsa secila posedon rreth 180 koka bërthamore. Çfarë do të ndodhte nëse konflikti do të përshkallëzohej deri në përdorimin e armëve bërthamore?

Shkencëtarët nga Universiteti Rutgers në SHBA paradisa viteve kanë kryer analizë të pasojave të mundshme të një lufte bërthamore midis Indisë dhe Pakistanit, duke paralajmëruar se një konflikt i tillë mund të ketë pasoja katastrofike jo vetëm për të dy vendet, por edhe për të gjithë botën. 

 Ekipi i studiuesve përshkruan në detaje se si mund të fillojë një luftë e tillë, sa viktima njerëzore do të shkaktojë dhe cilat do të jenë pasojat më të gjera klimatike.

Vlerësimet tregojnë se, varësisht nga fuqia e armës - nga 15 deri në 100 kilotonë - numri i viktimave mund të arrijë midis 50 dhe 125 milionë njerëz. Përveç numrit të madh të viktimave, miliona të plagosur do të kenë nevojë për kujdes urgjent mjekësor, ndërsa shumë qytete në Indi dhe Pakistan do të shkatërrohen dhe do të bëhen të pabanueshme. 

 Infrastruktura e shkatërruar, nga rrjeti elektrik, përmes sistemeve të transportit, e deri te sektori bankar, më tej do ta paralizonte shoqërinë.

Por,  autorët paralajmërojnë se shkatërrimi nuk do të mbetet i lokalizuar. 

 Shpërthimet bërthamore dhe zjarret pasuese do të krijonin sasi të mëdha tymi dhe bloze, të cilat do të ngriheshin lart në atmosferë. Ky tym do të bllokonte rrezet e diellit dhe, në rastin më të keq, do të shkaktonte ftohje globale, e ngjashme me atë që ka ndodhur gjatë disa prej shpërthimeve të mëdha vullkanike në histori.

 Ky efekt, i njohur si "dimër bërthamor", do të rezultonte në një rënie të temperaturave në të gjithë botën, një ulje të reshjeve dhe ndërprerje serioze të bujqësisë globale. Me fjalë të tjera, edhe vendet që nuk preken drejtpërdrejt nga sulmet bërthamore mund të përjetojnë uri, tronditje ekonomike dhe paqëndrueshmëri politike.

 Shkencëtarët theksojnë se pasojat e këtij konflikti bërthamor rajonal do të ishin afatgjata dhe planetare.

Një luftë e tillë nuk do të mbetej "problemi i tyre" - në një botë ku klima është e ndërlidhur në mënyrë reciproke, ndërsa tregtia globale është e brishtë, lufta bërthamore midis Indisë dhe Pakistanit mund të shkaktojë një krizë të ngjashme me të cilën njerëzimi nuk e ka përjetuar kurrë. 

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR