Nënshkruhet deklarata për koordinim rajonal të operatorëve të sistemeve të transmisionit nga Ballkani Perëndimor
- Operatorët e Sistemit të Transmisionit nga Komuniteti Energjetik i Ballkanit Perëndimor, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, e cila mund të konsiderohet historike mbi koordinimin rajonal. Kjo deklaratë e përbashkët, siç thonë nga SHA MEPSO, mundëson një rrugë reale dhe të përbashkët për të ardhmen e Europës Juglindore në kuadër të sistemit energjetik europian.
- Post By Besnik Shuki
- 20:37, 6 dhjetor, 2024
Shkup, 6 dhjetor 2024 (MIA) - Operatorët e Sistemit të Transmisionit nga Komuniteti Energjetik i Ballkanit Perëndimor, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, e cila mund të konsiderohet historike mbi koordinimin rajonal. Kjo deklaratë e përbashkët, siç thonë nga SHA MEPSO, mundëson një rrugë reale dhe të përbashkët për të ardhmen e Europës Juglindore në kuadër të sistemit energjetik europian.
Deklarata, e mundësuar nga ENTSO-E, përfshin një kornizë të re gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit për OST-të e Ballkanit Perëndimor brenda Europës Juglindore. Ky dokument është zgjidhja më e mirë e mundshme, që merr parasysh nevojat dhe situatat reale të të gjitha vendeve që bëjnë pjesë në Europën Juglindore, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian🇪🇺 dhe të Komunitetit të Energjisë.
"Deklarata hap mundësinë e organizimit teknik dhe tregtar në fusha për operimin e koordinuar të sistemit të energjisë elektrike, si dhe tregtimin dhe ankandimin e energjisë elektrike, duke lidhur OST-të nga Ballkani Perëndimor me zonat tashmë të organizuara të Europës Qendrore dhe Juglindore", thuhet në kumtesë.
Rezultatet kryesore të deklaratës përfshijnë forcimin e sigurisë energjetike dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, vendosjen e kornizave të reja ligjore për koordinim rajonal pa pengesa, sigurimin e alokimit efektiv të kapaciteteve, menaxhimin e mbingarkesave dhe ndarjen e të ardhurave.
"Kjo marrëveshje krijon një mundësi për bashkim të përshpejtuar të tregjeve në Europën Juglindore. Një bashkim i tillë i tregjeve është një nga parakushtet kryesore që duhet të plotësojnë vendet e Ballkanit Perëndimor për të marrë një përjashtim nga Taksa e Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit të Bashkimit Europian", thuhet në kumtesë.
Kjo deklaratë e përbashkët u mbështet nga të gjithë Operatorët e Sistemit të Transmisionit të Bashkimit Europian si dhe nga operatorët e Europës Juglindore (MEPSO - Maqedoni e Veriut, NOSBIH - Bosnjë dhe Hercegovinë, OST - Shqipëri, EMS - Serbi dhe CGES - Mali i Zi) dhe e njëjta është dakorduar edhe me KOSTT (Kosovë), të cilët po ashtu janë ftuar të bashkangjiten me operatorët tjerë nga rajoni. bsh/
Foto: MEPSO