Nën sundimin e familjes Asad janë zhdukur rreth 300.000 njerëz në Siri
- Komisioni kombëtar për personat e humbur në Siri vlerëson se mes 120.000 dhe 300.000 njerëz janë zhdukur gjatë më shumë se pesë dekadave të sundimit autoritar të familjes Asad.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:29, 19 gusht, 2025
Damask, 19 gusht 2025 (MIA) - Komisioni kombëtar për personat e humbur në Siri vlerëson se mes 120.000 dhe 300.000 njerëz janë zhdukur gjatë më shumë se pesë dekadave të sundimit autoritar të familjes Asad.
Kryetari i Komisionit, Mohamed Reda Xhalhi, mbrëmë deklaroi për agjencinë shtetërore SANA se numri mund të jetë shumë më i lartë.
Komisioni, i formuar në maj të këtij viti, ka mandat të përfshijë periudhën prej vitit 1970 deri sot. Hafez al Asad ishte president i Sirisë prej vitit 1971 deri në vdekjen e tij në vitin 2000, kur qeverisjen e mori djali i tij Bashar al Asad, deri në heqjen e tij nga pushteti nga një koalicion i udhëhequr nga islamistët në dhjetor.
Xhalhi informoi se deri tani janë dokumentuar 63 varre masive, ndërsa Komisioni ka marrë informacione edhe për lokacione të tjera të cilat ende nuk janë konfirmuar.
Dhjetëra mijëra njerëz janë zhdukur që nga fillimi i protestave pro-demokratike në vitin 2011, të cilat eskaluan në një luftë civile të plotë. Sipas vlerësimeve të KB-së, rreth 14 milionë njerëz janë zhvendosur nga vendi, ndërsa më shumë se 300,000 civilë kanë humbur jetën gjatë konfliktit.
Rrjeti sirian për të drejtat e njeriut më herët ka publikuar se rreth 157.000 njerëz janë zhdukur që nga marsi i vitit 2011.
Pas arrastisjes së Bashar al Asadit në Moskë në dhjetor, vendi drejtohet nga një administratë kalimtare e udhëhequr nga presidenti Ahmed al Shara. qa/
Foto: arkivi