Në vijim takim i ri Ukrainë-SHBA në Riad
- Në Riad është duke u zhvilluar takim i ri mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe SHBA-së për armëpushim në luftën Ukrainë-Rusi, bëri të ditur sot një burim nga delegacioni ukrainas.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:30, 25 mars, 2025

Riad, 25 mars 2025 (MIA) - Në Riad është duke u zhvilluar takim i ri mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe SHBA-së për armëpushim në luftën Ukrainë-Rusi, bëri të ditur sot një burim nga delegacioni ukrainas.
"Ne ende po punojmë me amerikanët", deklaroi burimi para grupit të vogël të gazetarëve.
Takimi vjen pas bisedimeve të gjata të djeshme mes amerikanëve dhe rusëve për armëpushim në Ukrainë, të zhvilluara gjithashtu në kryeqytetin e Arabisë Saudite.
Më herët sot, një burim nga Shtëpia e Bardhë tha se negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja në Arabinë Saudite me delegacionet nga Ukraina dhe Rusia po avancojnë mirë dhe pritet një njoftim pozitiv së shpejti.
"Bisedimet që i mundësuan ekipet teknike të administratës së Trampit në Riad po shkojnë jashtëzakonisht mirë dhe të gjitha palët e përfshira kanë punuar gjatë gjithë natës dhe ditës. Presim një njoftim pozitiv në të ardhmen e afërt”, tha burimi, transmetojnë agjencitë botërore.
Ukrainasit dhe amerikanët dy ditë më parë filluan bisedimet e reja në Arabinë Saudite, me qëllim armëpushimin e pjesshëm në luftën ukrainas-ruse, përpara negociatave ruso-amerikane të mbajtura dje. Gjithashtu u njoftua se ukrainasit do të takohen sërish me amerikanët pas bisedimeve amerikane me rusët.
Një nga negociatorët rus, Grigorij Karasin, sot deklaroi se bisedimet e djeshme midis delegacioneve ruse dhe amerikane për armëpushim të mundshëm në Ukrainë kanë qenë të dobishme.
“Folëm për gjithçka, ishte një dialog intensiv, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i dobishëm për ne dhe për amerikanët”, tha Karasin duke shtuar se bisedimet do të vazhdojnë.
Delegacionet amerikane dhe ruse njoftuan se sot do të lëshojnë një deklaratë të përbashkët për bisedimet. qa/
Foto: arkivi i MIA-s