• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Në sulmet izraelite në Gazë të paktën 35.000 fëmijë kanë mbetur pa prindër

Në sulmet izraelite në Gazë të paktën 35.000 fëmijë kanë mbetur pa prindër

Gazë, 20 nëntor 2024 (MIA) - Rreth 35.000 fëmijë kanë humbur të dy ose njërin nga prindërit e tyre në sulmet izraelite në Rripin e Gazës të cilët po vazhdojnë që nga 7 tetori i vitit 2023, raporton Anadollu.

Zyra për media e qeverisë së Gazës publikoi një raport që detajon pasojat e sulmeve izraelite të cilët kanë zgjatur më shumë se 400 ditë. Të dhënat konfirmojnë se Rripi i Gazës është i ekspozuar ndaj një katastrofe të vërtetë.

Në raport theksohet se në 3.838 masakra të kryera nga armata izraelite në Gazë, kanë humbur jetën 43.972 palestinezë, 11.000 persona rezultojnë si të zhdukur nën rrënojat e ndërtesave, ndërsa 104.008 u lënduan.

Të paktën 70 për qind e të lënduarve dhe të viktimave në Gazë janë gra dhe fëmijë. Midis viktimave në sulmet izraelite janë 17.492 fëmijë dhe 11.979 gra.

Theksohet se në Gazë të paktën janë vrarë 211 foshnje të porsalindura që nga fillimi i sulmeve izraelite më 7 tetor të vitit 2023, ndërsa 825 foshnje të porsalindura në më pak se një vit kanë humbur jetën.

Theksohet madje se 35.060 fëmijë humbën të dy ose të paktën një nga prindërit e tyre në Rripin e Gazës.

Në sulmet izraelite jetën e kanë humbur të paktën 1.369 familje palestinezë të cilët janë fshirë nga librat amë e popullsisë në Gazë.

Nga fillimi i sulmeve, të paktën 41 persona kanë vdekur nga uria në Gazë, ku Izraeli ka ndërprerë ndihmën humanitare dhe mjekësore.

Të paktën 1.054 punonjës shëndetësorë kanë humbur jetën nga sulmet mbi sistemin shëndetësor dhe infrastrukturën. Jetën e kanë humbur 86 ekipe të mbrojtjes civile, 188 gazetarë dhe 706 policë dhe persona të ngarkuar për dhënien e ndihmës.

Trupat e 520 palestinezëve janë gjetur në shtatë varre masive të zbuluara në spitalet në të cilat më parë depërtoi armata izraelite.

Në raport theksohet se në Gazë janë plagosur 398 gazetarë. rq/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR