• e enjte, 04 dhjetor 2025

Në shtëpinë e sulmuesit në Grac është gjetur një letër lamtumire

Në shtëpinë e sulmuesit në Grac është gjetur një letër lamtumire

Grac, 11 qershor 2025 (MIA) – Në shtëpinë e sulmuesit i cili në ish shkollën e tij në Grac vrau dhjetë persona, ndërsa pastaj kreu vetëvrasje, ekipet hetuese gjetën një letër lamtumire dhe bombë jofunksionale me gyp, njoftoi sot policia lokale. 

Viktimave në tragjedi sot iu jepen nderime me një minut heshtje, ndërsa sulmi i djeshëm ndaj gjimnazit në Grac konsiderohet si më vdekjeprurësi në Austri pas Luftës së Dytë Botërore. 

Sulmuesi, një burrë 21-vjeçar nga rrethi i Gracit, ishte ish nxënës në shkollën ku e kreu vrasjen masive, por asnjëherë nuk e kishte përfunduar shkollimin aty. Sipas policisë, ai ka shfrytëzuar dy armë – pushkë dhe pistoletë – për të cilat thuhet se i ka poseduar me leje. 

Një nëpunës policor mbrëmë konfirmoi se në shtëpinë e sulmuesit është gjetur një letër dedikuar prindërve të tij, por ajo nuk u ka mundësuar autoriteteve të nxjerrin konkluzione për motivet e sulmit. 

Drejtori për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Austrisë, Franc Ruf, për televizionin “ORF” deklaroi se ende nuk dihet nëse sulmuesi i ka zgjedhur viktimat me qëllim ose rastësisht, ndërsa hetimi për këtë vazhdon. Ai shtoi se personat e lënduar ishin gjetur në shumë lokacione në shkollë, përfshirë edhe një person para ndërtesës. fc/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR