Në Shqipëri konfiksohen tre milionë euro, shumë subjekte hotelierike dhe tregtare, një televizion, të arritura nga tregtia me drogë
- – Në një aksion policor të realizuar në disa qytete të Shqipërisë, janë konfiskuar tre milionë euro para të gatshme, pastaj tre objekte hotelierike dhe kafe bar, në Durrës, një televizion dhe gjashtë subjekte tregtare në Vlorë, të arritura nga tregtia me drogë.
- Post By Fitore Curri
- 15:11, 21 maj, 2025
Tiranë, 21 maj 2025 (MIA) – Në një aksion policor të realizuar në disa qytete të Shqipërisë, janë konfiskuar tre milionë euro para të gatshme, pastaj tre objekte hotelierike dhe kafe bar, në Durrës, një televizion dhe gjashtë subjekte tregtare në Vlorë, të arritura nga tregtia me drogë.
Njeriu i parë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në një konferencë të përbashkët për media me kolegët e tij italianë, tha se në kuadër të operacionit në shkallë të gjerë "Ura", është lëshuar një urdhër arresti për 52 persona, 40 prej të cilëve shqiptarë dhe 12 italianë, të cilët po kontrabandonin kokainë nga Turqia dhe Amerika Latine, me vlerë shtatë milionë euro.
“Është shkatërruar një nga grupet më të fuqishme të drogës, i organizuar në tre nëngrupe, baza e të cilit ishte në Durrës. Ky operacion, i mbështetur nga hetime të thella, është provë e qartë e asaj që mund të arrihet me funksionimin e ligjit. Falënderime të veçanta për kolegët tanë italianë, Euroxhuat dhe Europol gjatë hetimeve të këtij ekipi, të cilat zgjatën nga shtatori 2021 deri në qershor 2022. Nga urdhër-arrestet e lëshuara, 42 janë realizuar, ndërsa 10 anëtarë të kësaj organizate kriminale janë në kërkim”, tha Dumani.
Shtoi se identiteti i të arrestuarve nuk do të bëhet i ditur, por mediat bëjnë të ditur se në mesin e tyre është edhe një pronar i një kompani për transport të autobusëve në relacionin Shqipëri – Itali dhe anasjelltas, avokat në Durrës, nëpunës të policisë.
Prokurori Roberto Rosi, nga Bari i Italisë, pasi lartë e vlerësoi bashkëpunimin me SPAK, tha se “mafia shqiptare është forcë shumë e madhe ndërkombëtare”.
“Ne vazhdojmë të punojmë për arritjen e rezultateve të përbashkëta dhe luftën kundër krimit në Itali dhe Shqipëri. Jemi të vetëdijshëm se autoritetet hetimore në Shqipëri, dhe veçanërisht SPAK, janë shumë të afta të arrestojnë kriminelë së bashku me ne. Mafia shqiptare për fat të keq është një forcë shumë e madhe ndërkombëtare, por jemi të sigurt se autoritetet e drejtësisë do të jenë në gjendje të luftojnë kundër këtij kanceri. Përmes një bashkëpunimi të përsosur, ne jemi të sinkronizuar për të arritur këtë qëllim”, tha Rosi.
Sipas tij anëtarët e këtij grupi dërgonin para nga Bari në Shqipëri përmes agjencive transportuese, kryesisht autobusë, të cilët transportonin udhëtarë nga Italia për Shqipëri.
Drejtori i policisë shtetërore, Ilir Doda, deklaroi se në aksionin e sotëm ishin përfshirë 349 nëpunës të policisë shtetërore. fc/