• e premte, 21 shkurt 2025

Në Shqipëri është strehuar një familje nga Gaza, një fëmijë një vjeçar është hospitalizuar

Në Shqipëri është strehuar një familje nga Gaza, një fëmijë një vjeçar është hospitalizuar

Tiranë, 17 janar 2025 (MIA) – Një fëmijë njëvjeçar nga Gaza është evakuuar për mjekim në Shqipëri, njoftoi në rrjetet sociale, duke ndarë fotografi, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu. 

Fëmija kishte mbërritur në aeroportin ndërkombëtar “Nëna Terezë” dhe pastaj ishte dërguar në Spitalin Universitar “Nëna Terezë”. 

Të pranishëm në aeroport në momentin e mbërritjes së vogëlushit dhe familjes së tij ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kreu i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Një familje e shpërngulur nga Gaza ka gjetur një strehë të sigurt dhe të ngrohtë në Shqipëri. Fëmija një vjeç, i cili kishte nevojë të menjëhershme për trajtim mjekësor, është duke u asistuar me shumë sukses nga stafi i QSUNT”, shkroi Koçiu në rrjetet sociale.

Ajo e falënderoi OBSH-në, Bashkimin Evropian, Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe zyrtarët nga Ministria e Punëve të Brendshme për kontributet e tyre në këtë mision humanitar.

“Fëmija ka ardhur me probleme respiratore. Probleme që u evidentuan që në momentin e parë që ka ardhur tek ne. Realizuam ekzaminimet e duhura për të kuptuar gradën e tyre. Është në kontroll të plotë dhe është më mirë dhe po merr mjekimin e duhur. Besojmë se për pak ditë mund të largohet nga shërbimi”, deklaroi Mirela Kole, mjeke pediatre, informuan mediat shqiptare.

Fëmija aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës. fc/

Fotografia: Koçiu në Fejsbuk

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR