• e premte, 05 dhjetor 2025

Në Samitin Amerika Latine-BE me deklaratë hidhet poshtë "përdorimi i forcës"

Në Samitin Amerika Latine-BE me deklaratë hidhet poshtë

Santa Marta, 10 nëntor 2025 (MIA) – Pesëdhjetë vende të Amerikës Latine dhe Bashkimit Evropian në samitin në Kolumbi shprehën kundërshtimin e tyre ndaj “përdorimit të forcës” në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në kontekstin e tensioneve me SHBA-në për shkak të sulmeve amerikane ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor.

Me deklaratën përfundoi dita e parë e samitit të Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC) dhe Bashkimit Evropian i cili u shënua me kritika të fshehta ndaj Uashingtonit dhe referencës ndaj konflikteve ndërkombëtare.

"Përsërisim kundërshtimin tonë ndaj përdorimit ose kërcënimit të përdorimit të forcës dhe ndaj çdo veprimi që nuk do të ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara", thuhet në tekstin që u nënshkrua dje prej 58 nga 60 vende, ndërsa Venezuela dhe Nikaragua abstenuan.

“Shqyrtuam rëndësinë e sigurisë detare dhe stabilitetit rajonal në Karaibe”, shtohet në dokument, por nuk përmenden drejtpërdrejt sulmet e SHBA-së ndaj anijeve që Uashingtoni dyshon se transportojnë drogë ku deri më tani kanë vdekur 70 persona.

Në Deklaratë nuk përmendet Donald Trampi "thjesht sepse nuk kemi arritur t'i bëjmë të gjitha vendet të marrin pjesë", shpjegoi nënpresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.

Presidenti amerikan e akuzon homologun e tij nga Venezuela, Nikolas Maduro se është anëtar i një karteli droge dhe e ka quajtur presidentin kolumbian Gustavo Petro një "bos të drogës".

"Kërcënimi me përdorimin e forcës ushtarake është përsëri pjesë e jetës së përditshme në Amerikën Latine dhe Karaibe. Manovrat dhe retorika e vjetër po riciklohen për të justifikuar ndërhyrjet e paligjshme", tha presidenti brazilian Luiz Inasio Lula da Silva, një aleat i Gustavo Petros.

Kallas nga ana tjetër, me të mbërritur në samit, deklaroi se "forca mund të përdoret vetëm për dy arsye: Ose për mbrojtje legjitime ose në zbatimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të KB-së".

Deklarata e përbashkët e dënon gjithashtu "luftën që po zhvillohet kundër Ukrainës e cila edhe më tej vazhdon të shkaktojë vuajtje të mëdha njerëzore".

Sipas Kaja Kallasit, Venezuela dhe Nikaragua nuk e nënshkruan deklaratën pikërisht për shkak të kësaj pjese.

Nga 33 shtete anëtare të CELAC dhe 27 anëtar të BE-së, në samitin që përfundon sot marrin pjesë vetëm nëntë shefa shtetesh. 

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR