• e shtunë, 23 nëntor 2024

Në Prishtinë mijëra qytetarë marshuan në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së

Në Prishtinë mijëra qytetarë marshuan në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së

Prishtinë, 2 prill 2023 (MIA)- Mijëra qytetarë morën pjesë në "Marshin për Drejtësi” të organizuar sot në Prishtinë në përkrahje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) - që janë në Hagë.

Nesër do të nisë gjyqi ndaj ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe ish anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.

Njëri nga ideatorët e platformës "Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se “UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët, është vlera më sublime që e kemi krijuar së bashku”, njofton Radio Evropa e Lirë (REL).

Marshi i organizuar nga kjo platformë nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se sot ballëlartë e me zemër plot po marshojnë krenarë “për ata që dikur marshuan drejt lirisë”.

“Marshojmë për të kërkuar drejtësi, për ata që nga nesër do të përballen më një proces gjyqësor, në të cilin nuk janë për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak të epokës së lavdishme që përfaqësojnë”, tha ai.

Vajza dëshmorit Fatmir Fazlia, Flaka, tha se UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk “është organizatë kriminale, por organizatë Çlirimtare”.

Më herët, ideatorët e platformës "Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Përveç partive opozitare edhe partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje e ka mbështetur këtë iniciativë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR