• e premte, 05 dhjetor 2025

Në Ohër u hap Konferenca e 16-të për pagesat dhe infrastrukturën e tregut organizuar nga Banka Popullore

Në Ohër u hap Konferenca e 16-të për pagesat dhe infrastrukturën e tregut organizuar nga Banka Popullore

Ohër, 28 tetor 2025 (MIA) – Ciklet e përshpejtuara teknologjike dhe shfaqja e modeleve të reja të biznesit po ndryshojnë peizazhin e pagesave dhe infrastrukturën e tregut. Pritjet për shpejtësi më të madhe në proceset e pagesave, qëndrueshmëri më të madhe, transparencë më të madhe, përfshirje dhe siguri të proceseve, janë sfidat që do të diskutohen në kuadër të Konferencës së 16-të për pagesat dhe infrastrukturën e tregut të organizuar nga Banka Popullore e cila mbahet sot në Ohër.

Para pjesëmarrësve në takim të organizuar së bashku me Bankën qendrore të Holandës, fjalim mbajti guvernatori Trajko Sllaveski i cili theksoi rëndësinë strategjike të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Zonën e përbashkët të pagesave në euro (SEPA), si pjesë e aktiviteteve për integrim më të madh rajonal dhe konfirmim të gatishmërisë së vendit për integrim të plotë të sistemit financiar në kornizën evropiane.

"Anëtarësimi në SEPA pasqyron angazhimin tonë për të miratuar standardet evropiane, që qytetarët dhe bizneset tona të kenë pagesa më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta në euro. Në afatgjatë, kjo do të sjellë avantazhe të qëndrueshme, duke u ofruar brezave të ardhshëm më shumë mundësi, lidhje më të forta ekonomike dhe përfshirje të plotë në peizazhin evropian të pagesave të vetme", tha Sllaveski.

Maqedonia, së bashku me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Moldavinë u bënë pjesë e SEPA-s, filluan transaksionet në kuadër të sistemit të pagesave më 7 të këtij muaji, që është një hap konkret drejt konvergjencës financiare dhe ekonomike me BE-në.

SEPA ofron pagesa të shpejta, të qasshme dhe të sigurta të cilat janë përfitime reale dhe të matshme.

Vlerësimet tregojnë se dërgimi i remitancave te marrësit përmes marrëveshjeve tradicionale kushton deri në 6.71 për qind të vlerës së transaksionit. Remitancat ndërkufitare në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë 32 për qind më të shtrenjta se transfertat në pjesë të tjera të botës të cilat do të mënjanohen me anëtarësimin e rajonit në SEPA.

"Për bizneset, anëtarësimi në SEPA ofron një ulje të ndjeshme të kostove të transaksioneve dhe rritje të parashikueshmërisë dhe efikasitetit. Kundrejt 0.58 për qind të pagesës për një transferim prej pesë mijë eurosh ose 0.38 për qind për pagesë prej 20 mijë eurosh, transferimet brenda BE-së nëpërmjet SEPA-s kushtojnë vetëm 0.01 për qind të transaksionit", theksoi Sllaveski.

Guvernatori theksoi se, përveç kursimeve, integrimi i rajonit në SEPA do të nxisë më tej tregtinë dhe investimet, do të mbështesë sipërmarrësit, por edhe do të forcojë besimin e rajonit në institucionet e BE-së, duke demonstruar përfitimet reale të harmonizimit me standardet evropiane.

"Në fund të fundit, ato tregojnë se bashkëpunimi rajonal dhe evropian mund të sjellë rezultate të prekshme që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve tanë, tha ai.

Fjalim përmes video- lidhjes mbajti edhe drejtoresha e Sektorit të pagesave të Bankës qendrore të Holandës, Inge van Dijk duke vënë në dukje se tema e zgjedhur e diskutimeve të planifikuara në kuadër të Konferencës në Ohër nuk mund të ishte më aktuale, duke pasur parasysh ndryshimet themelore në proceset e shlyerjes dhe pagesave në botë.

"Digjitalizimi, inovacionet dhe globalizimi ndryshojnë peizazhin e realizimit të proceseve të pagesave dhe transaksioneve financiare dhe kjo konferencë, si gjithmonë mëton të kontribuojë në zhvillimin e përsosjes në të gjitha vendet evropiane”, tha ajo.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR