• e mërkurë, 06 nëntor 2024

Në një sulm ajror rus është goditur një ndërtesë në Harkov, pesë persona kanë vdekur, ndërsa 48 janë plagosur

Në një sulm ajror rus është goditur një ndërtesë në Harkov, pesë persona kanë vdekur, ndërsa 48 janë plagosur

Kiev, 30 gusht 2024 (MIA) - Në një sulm ajror rus është goditur një ndërtesë banuese dhe një kënd lojërash për fëmijë në qytetin verilindor të Ukrainës, Harkov, ku kanë vdekur pesë persona dhe janë plagosur të paktën 47, kumtuan autoritetet lokale.

Kryetari i bashkisë Harkov, Igor Terehov, njoftoi në Telegram se një fëmijë vdiq në këndin e lojërave. Tre persona kanë humbur jetën në ndërtesën 12-katëshe, ku si pasojë e përplasjes ka rënë zjarr. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur rrethanat në të cilat ka vdekur viktima e pestë nga sulmet e ndodhura në katër pjesë të qytetit.

Rreth 20 nga të plagosurit janë në gjendje kritike, tha guvernatori i zonës, Oleg Sinegubov.

Ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët mbërritën në vendngjarje për të ndihmuar në evakuimin e të mbijetuarve nga ndërtesa.

Harkov është objektiv i bombardimeve masive ruse që nga fillimi i luftës, megjithëse intensiteti i sulmeve është zbutur javët e fundit, veçanërisht pas hyrjes së papritur të forcave ukrainase në rajonin kufitar rus Kursk.

Rusia mohon se sulmon qëllimisht objektiva civilë. Mijëra njerëz janë vrarë dhe plagosur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022.

Menjëherë pas sulmit në Harkov, presidenti Volodimir Zelenski bëri thirrje të reja ndaj aleatëve perëndimorë për të lejuar Kievin të përdorë armë perëndimore me rreze të gjatë për të sulmuar bazat e forcave ajrore ruse.

Sipas Kievit, mënyra më efektive për t'iu kundërvënë këtyre sulmeve është të sulmohen aeroplanët rusë, jo vetë bombat. ls/

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR