Në moshën 34 vjeçare papritur vdes vajza e ish kryeministrit grek Andonis Samaras
- Mbrëmë vonë në moshën 34-vjeçare, papritur ka vdekur vajza e ish kryeministrit grek Andonis Samaras, Lena Samaras e cila është shtruar në spital ku pas një krize epileptike ka pësuar edhe sulm në zemër, ndërsa mjekët nuk mundën ta kthejnë në jetë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Fami Bajrami
- 11:50, 8 gusht, 2025
Athinë, 8 gusht 2025 (MIA) – Mbrëmë vonë në moshën 34-vjeçare, papritur ka vdekur vajza e ish kryeministrit grek Andonis Samaras, Lena Samaras e cila është shtruar në spital ku pas një krize epileptike ka pësuar edhe sulm në zemër, ndërsa mjekët nuk mundën ta kthejnë në jetë, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Vajza e ish kryeministrit është pranuar në Spitalin e përgjithshëm në Athinë "Sismanoglio", nga ku është transferuar në Spitalin e përgjithshëm "Evangelismos", pasi te e para nuk ka klinikë neurologjike.
Ministri grek i Shëndetësisë Adonis Georgiadis nëpërmjet “Iks” tha se "Lena Samaras u ekzaminua plotësisht dhe me kujdes me të gjitha analizat e përcaktuara në spitalin 'Sismanoglio', ku kishte edhe neurolog i cili gjithashtu e ekzaminoi normalisht" dhe shtoi se meqenëse neurologu vlerësoi se duhen ekzaminime të mëtejshme, kërkoi që vajza të transferohet në Klinikën neurologjike "Evangelismos", pasi spitali i parë nuk ka Klinikë neurologjike.
"Prandaj ajo është transferuar në 'Evangelismos' dhe nga një spital në tjetrin është transferuar nën siguri të plotë. Fatkeqësisht, ajo pësoi sulm në zemër në spital", shkroi Georgiadis.
Vajza e Samarasit ka diplomuar në Shkollën e ndërtimtarisë në Londër dhe rrallë shfaqej në publik.
Mesazhe ngushëllimi deri te Samarasi për humbjen e vajzës u dërguan nga e gjithë bota politike në Greqi - kryeministri dhe presidenti, ministrat e qeverisë, liderët e të gjitha partive opozitare, ish kryeministrat grekë, deputetët, etj.
Andonis Samaras ka qenë kryeministër i Greqisë nga viti 2012 deri në vitin 2015, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar ai u përjashtua nga partia në pushtet Demokracia e Re.
Foto: Mediat greke