Në Kuvend debat për gjykatësit kushtetues
- Post By Sara Ademi
- 18:09, 18 tetor, 2022
Shkup, 18 tetor 2022 (MIA) - Me 63 vota "pro", deputetët miratuan sonte rendin e ditës të seancës së 88-të kuvendore. Sa i përket pikës së parë të rendit të ditës, përkatësisht zgjedhjes së ministrit të ri për Vetëqeverisje Lokale, siç sqaroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, nuk mund të hapet debat, për shkak të mungesës zyrtare të propozuesit - kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Seanca vazhdoi me pikën e dytë dhe me Propozimin për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues. Gjithsej 28 deputetë u shprehën për propozimin që Fatmir Skënderi të jetë gjyqtar kushtetues. Në këtë pikë do të votohet individualisht për Skenderin dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva për gjyqtarë kushtetues, propozime të cilat janë pranuar nga shumica në seancën e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Komisioni përcaktoi nëntë kandidatë për gjykatës kushtetues, ndërsa debati në seancën e gjashtë nuk ka përfunduar ende.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, tha se pret që kryetarja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, Marija Georgievska, të shpjegojë pse ka vepruar kështu dhe u ka dërguar letër për votim dy kandidatëve të pranuar, edhe pse debati i komisionit nuk ka përfunduar. Micevski paralajmëroi edhe interpelancë për kryetarin e Kuvendit.
Paraprakisht, për më shumë se dy orë, opozita tentoi të zgjaste seancën me kërkesa për heqjen apo shtimin e pikave në rendin e ditës.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të së Majtës debatuan në lidhje me propozimin që pika e dytë e rendit të ditës të jetë Propozimi për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ata kërkuan që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës. Shumica nuk e përkrahën propozimin e tyre, por përkundër kësaj deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan të përsërisin të njëjtën kërkesë.
"Një pikë është me nëntë kandidatë dhe individualisht votohet për kandidatët", tha ndër të tjera kryetari i Kuvendit Xhaferi.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski më pas pyeti se pse kur u miratua propozimi i parë, ai nuk u vendos në votim. Micevski akuzoi se dorëzimi i vetëm dy propozimeve të votuara në Komisionin për gjyqtarë kushtetues nga nëntë kandidatë është precedent dhe është në kundërshtim me Rregulloren e punës. Ndër të tjera ai theksoi se përgjegjësinë për këtë procedurë do ta ketë edhe kryetarja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, e cila e ka nënshkruar kërkesën.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski akuzoi se Xhaferi nuk po e thotë të vërtetën kur thotë se në Kuvend janë 65 deputetë, sepse sipas tij në sallë janë vetëm 59. Ai tha se në vend që të jetë organi më i lartë demokratik, është "në nivelin e kooperativës". Stojanovski kërkoi nga punëtorët e Kuvendit që të punojnë në përputhje me ligjin, sepse siç tha ai, ata që "bëjnë favore për të shpëtuar karrierën e tyre politike do të lihen vetëm të presin në gjykata".
Kryetari i Kuvendit Xhaferi ishte i vendosur se në atë kohë në Kuvend ishin 65 deputetë.
"Dhe tani këtu janë 46 deputetë dhe nga kjo anë ishin 19 dhe gjithsej janë 65 deputetë. Por të akuzosh shërbimin për gënjeshtra për numërimin është gjëja më e ulët që mund të bësh", tha ndër të tjera Xhaferi.
Në rendin e ditës të seancës së 88-të janë ligjet që kanë të bëjnë me masat për përballimin e krizës energjetike, ndryshimet në ligjin për shoqatat dhe partitë politike e të tjera. sa/