Në konferencën e përbashkët për shtyp, Putin dhe presidenti kinez Si njoftuan vazhdimin e partneritetit strategjik deri në vitin 2030
- Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti kinez Si Xhinping kanë nënshkruar dy marrëveshje për vazhdimin e partneritetit të tyre strategjik deri në vitin 2030, ku televizioni shtetërorë rus e ka transmetuar ceremoninë e mbajtur në Kremlin.
- Post By Qefsere Abduli
- 19:51, 21 mars, 2023
Moskë, 21 mars 2023 (MIA) - Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti kinez Si Xhinping kanë nënshkruar dy marrëveshje për vazhdimin e partneritetit të tyre strategjik deri në vitin 2030, ku televizioni shtetëror rus e ka transmetuar ceremoninë e mbajtur në Kremlin.
Në ditën e dytë nga vizita e presidentit kinez Si Xhinping në Moskë, të dy liderët i kanë vazhduar bisedimet e nivelit të lartë. Presidenti Si e ka ftuar Putinin ta vizitojë Pekinin këtë vit.
Putini, i cili në kushtet e pushtimit të Ukrainës ishte përafërsisht i izoluar në skenën ndërkombëtare, tha se të dy liderët nënshkruan marrëveshje të mëdha për zgjerimin e bashkëpunimit të tyre strategjik, si dhe për rritjen e furnizimeve ruse me energji për Kinën.
Pas takimit, Putini i ka përshëndetur bisedimet si “të suksesshme dhe konstruktive“, derisa presidenti Si i përshkroi si “të hapuara dhe miqësore“.
Presidneti rus e promovoi aftësinë e vendit të tij për të plotësuar nevojat e Kinës për energji. “Biznesi rus është në gjendje ta përmbushë kërkesën në rritje të Kinës për transmetimin e energjisë“, tha Putin, duke shtuar se po punohet për një tubacion të ri gazi që i lidhë të dy vendet, i cili në të ardhmen mund të transportojë deri në 50 miliardë metra kub gaz në vit.
Tregtia me Kinën është zëvendësim i rëndësishmëm për Rusinë pas humbjes së marrëveshjeve profitabile me vendet e BE-së. Kina do të fitojë zbritje për blerjen e energjisë, shkruan Dojçe vele.
Nga ana e tij, lideri kinez foli për forcimin e lidhjeve të biznesit mes dy fqinjëve. “Propozoj forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit tonë“, tha Si. “E shohim korrjen e hershme të bashkëpunimit (tonë) ndërsa bashkëpunimi i mëtejshëm po zhvillohet“, shtoi ai.
Si Xhinping në një konferencë të përbashkët shtypi me Putinin tha se Pekini ka një pikëpamje të paanshme për konfliktin në Ukrainë dhe se mbështet paqen dhe dialogun. Presidneti Si tha se Kina është në anën e vërtetë të historisë për çështjen e Ukrainës. Ai theksoi se qeveria e tij është për pajtim aktiv dhe gjithmonë është për paqe dhe dialog.
Presidenti Si, gjithashtu si Putini, i kujtoi marrëdhëniet tregtare mes Rusisë dhe Kinës. Ai tha se fokusi do të jetë i vendosur në tri zona: tregti me energjinë, tregti me lëndë të papërpunuar dhe tregti me elektronikë.