• e premte, 05 dhjetor 2025

Në Kiev u dëgjuan sirenat për sulme ajrore para një takimi në Uashington të liderëve evropianë që mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë

Në Kiev u dëgjuan sirenat për sulme ajrore para një takimi në Uashington të liderëve evropianë që mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë

 Kiev/Uashington, 18 gusht 2025 (MIA) - Sirenat për sulme ajrore u dëgjuan mbi Kiev pasdite përpara bisedimeve të shumëpritura në Uashington midis Presidentit ukrainas Volodimir Zelenski dhe liderit  amerikan Donald Tramp.

Forcat Ajrore Ukrainase njoftuan në mediat sociale se një alarm ajror ishte aktivizuar në të gjithë vendin pasi aeroplanët rusë të aftë për të mbajtur raketat hipersonike Kinzhal që Moska përdor në sulmet e saj u panë duke u ngritur. 

 Liderët evropianë kanë filluar të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë përpara bisedimeve me Presidentin amerikan Donald Tramp dhe Presidentin ukrainas Volodimir Zelenski për një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute, Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajeni dhe Kryeministri britanik Kir Starmer janë të parët që mbërrijnë, pasi u takuan me Zelenskin në Ambasadën e Ukrainës në Uashington. 

 Zelenski mbërriti në Uashington sot me një grup udhëheqësish të lartë evropianë në një përpjekje për të siguruar mbështetje të fortë nga ShBA-ja dhe garanci sigurie si pjesë e një zgjidhjeje të mundshme me Rusinë.

 Sipas "Fajneshëllm tajms", pritet delegacioni i fuqive të mëdha evropiane t'i kërkojë Presidentit amerikan, Donald Tramp, të angazhohet për mbrojtjen e Ukrainës dhe të sqarojë nëse Uashingtoni do të garantojë sigurinë e Kievit në një mënyrë të krahasueshme me mandatin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Presioni vjen mes shqetësimit në Kiev, Berlin, Paris dhe kryeqytete të tjera evropiane për shkak të sinjaleve se Trampi mund të ketë rënë dakord me propozimet e Presidentit rus, Vladimir Putin, për t'i dhënë fund luftës.

 Trampi u takua me Putinin të premten e kaluar në Alaskë, një takim që ka ngritur alarm në Evropë lidhur me mundësinë që Ukrainës t'i kërkohet të pranojë lëshime të mëdha territoriale, duke përfshirë rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, si pjesë e marrëveshjes. Në komentet para takimit në Shtëpinë e Bardhë, Zelenski tha: "Rusia mund të detyrohet të bëjë paqe vetëm me forcë, dhe Presidenti Tramp e ka atë forcë".

Një funksionar  i lartë ukrainas deklaroi për "Fajneshëll tajms" se qëllimi i Kievit është të krijojë "një proces produktiv të zgjidhjes së paqes pa presion mbi Ukrainën për të ndërmarrë hapa të pamundur, siç është tërheqja e forcave" nga territoret e pushtuara.

Liderët evropianë janë veçanërisht të përqendruar në nxjerrjen e angazhimeve të detyrueshme nga Shtetet e Bashkuara që mund të garantojnë sigurinë e Ukrainës në plan afatgjatë. Gjermania tha se kishte parë "sinjale" nga Uashingtoni që tregojnë një gatishmëri për të marrë në konsideratë garanci të tilla, megjithëse zyrtarët gjithashtu pranuan mesazhe kontradiktore nga Shtëpia e Bardhë. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR