• e shtunë, 04 janar 2025

Në Gjermani pesë persona e humbën jetën gjatë ndezjes së disa mjeteve të fuqishme piroteknike

Në Gjermani pesë persona e humbën jetën gjatë ndezjes së disa mjeteve të fuqishme piroteknike

Berlin, 1 janar 2025 (MIA) – Pesë persona kanë humbur jetën në natën e ndërrimit të viteve në zona të ndryshme të Gjermanisë kur janë ndezur fishekzjarrë të fuqishëm, ndërsa në Berlin një polic është lënduar rëndë nga mjeti piroteknik, kumtuan sot autoritetet gjermane.

Në Berlin, ku policë të shumtë u mobilizuan për shkak të frikës nga trazirat, rreth 330 persona u arrestuan, kumtoi policia.

Gjithsej janë plagosur 13 policë, njëri prej të cilëve është plagosur rëndë dhe është dashur të operohet. Ai u godit me një mjet piroteknik të prodhuar ilegalisht, deklaroi zëdhënësi i policisë.

Disa polic dhe shpëtimtarë u goditën nga mjetet piroteknike gjatë ndërhyrjeve në natën e Vitit të Ri, tha zëdhënësi, por shtoi se, ndryshe nga disa vitet e mëparshme, nuk ka pasur dhunë apo incidente të mëdha në Berlin.

Gjermanët tradicionalisht e festojnë Vitin e Ri me një përdorim veçanërisht intensiv të fishekzjarreve, gjë që ngjall rregullisht debat për ndalimin e mjeteve më të fuqishme për shkak të numrit të shtuar të lëndimeve, por edhe për shkak të ndotjes dhe zhurmës së madhe që ato prodhojnë. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR