• e enjte, 22 janar 2026

Në Bruksel raund i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

Në Bruksel raund i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

Prishtinë, 22 janar 2026 (MIA) - Në Bruksel sot mbahet raund i ri i dialogut në nivel kryenegociatorësh. Është takimi i parë këtë vit dhe vjen menjëherë pas vizitës që emisari evropian për dialog, Peter Sorensen, zhvilloi në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar.

"Gjatë vitit të kaluar, kryenegociatorët u takuan vetëm dy herë ndërsa takimet nuk kanë prodhuar asnjë rezultat. Sipas burimeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të diskutojnë për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit, të cilën e kanë miratuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023", njoftojnë mediat e Kosovës.

Takimet fillojnë në orët e pasdites. Sipas praktikës së vendosur, Sorensen fillimisht do të takohet ndaras me Bislimin dhe Petkoviqin, me qëllim që më pas të zhvillohet takim i përbashkët BE–Kosovë–Serbi.

Peter Sorensen ka marrë edhe një mandat dyvjeçar për të ndërmjetësuar procesin e dialogut.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR