• e premte, 05 dhjetor 2025

Në Britaninë e Madhe ulet numri i azilkërkuesve shqiptarë, ndërsa rritet numri i të burgosurve

Në Britaninë e Madhe ulet numri i azilkërkuesve shqiptarë, ndërsa rritet numri i të burgosurve

Tiranë, 2 shtator 2025 (MIA) - Që nga viti 1998, Britania e Madhe u bë destinacioni kryesor për shqiptarët, duke e konsideruar atë si "El Dorado" për një jetë më të mirë, dhe sot në këtë ishull jetojnë mbi 140,000 shtetas shqiptarë, raporton Top Çanell.

Vendimi i Qeverisë britanike në vitin 2023 për ta shpallur Shqipërinë si vend të sigurtë ka një ndikim të fuqishëm dekurajues mbi emigrimin e shqiptarëve në këtë vend.

Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Brendshme britanike, gjatë vitit 2024, 3.698 shtetas shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për azil, nga të cilët përgjigje pozitive kanë marrë 100 persona. Krahasuar me vitin 2022, kur kishte 17.340 kërkesa, kjo është një rënie drastike.

Një rritje është vërejtur në kërkesat për viza turistike, ku vetëm gjatë vitit 2024, shtetasit shqiptarë kanë paraqitur 28.554 kërkesa, prej të cilave 20.192 janë miratuar dhe 9.271 janë refuzuar.

"Nga ana tjetër, sipas Ministrisë britanike të Drejtësisë, numri i shqiptarëve në burgje po rritet, kështu që mbetet kombësia e huaj me numrin më të madh të të burgosurve në Angli dhe në Uells. Aktualisht, ka 1.193 shtetas shqiptarë që po vuajnë dënime në burgjet britanike, një trend që po rritet nga viti në vit", njofton televizioni.

Në vitin 2015, shqiptarët ishin renditur në vendin e gjashtë, vitin tjetër në të pestin, në vitin 2017 në të tretin, në vitin 2018 në të dytin, dhe që nga viti 2019 ata mbajnë vendin e parë. Pas tyre renditen polakët, rumunët dhe lituanët. qa/

QËNDRONI TË LIDHUR