Në Belgjikë është shpallur "alarm portokalli" për rrezik nga infeksionet respiratore
- Grupi belg për menaxhim me rreziqe (RMG) ka vendosur të rrisë nivelin e rrezikut nga infeksionet respiratore në Belgjikë nga "e verdhë" në "portokalli", pas informacioneve nga autoritetet shëndetësore se gripi po përhapet me shpejtësi dhe se presioni mbi spitalet po rritet.
Bruksel, 17 janar 2026 (MIA) - Grupi belg për menaxhim me rreziqe (RMG) ka vendosur të rrisë nivelin e rrezikut nga infeksionet respiratore në Belgjikë nga "e verdhë" në "portokalli", pas informacioneve nga autoritetet shëndetësore se gripi po përhapet me shpejtësi dhe se presioni mbi spitalet po rritet.
RMG është një grup i përbërë nga përfaqësues të autoriteteve shëndetësore belge përgjegjës për përcaktimin e masave për të mbrojtur shëndetin publik. Sipas rregullave të RMG-së, janë përcaktuar katër nivele rreziku për infeksione respiratore - e gjelbërt (e ulët), e verdhë (mesatare), portokalli (e lartë) dhe e kuqe (shumë e lartë).
Në kushtet e dimrit, paralajmërimi vlen për infeksionet respiratore nga gripi, virusi RSV, pneumonia dhe Kovid-19. Prania e këtyre viruseve përcaktohet duke matur qarkullimin e tyre në ujërat e zeza në baza javore dhe përmes sistemit të mbikëqyrjes shëndetësore të zbatuar nga spitalet dhe mjekët e përgjithshëm.
RMG thekson se virusi i gripit qarkullon në mënyrë aktive në të gjithë Belgjikën dhe mund të jetë i rrezikshëm për ata që janë të ekspozuar në rrezik nga ndërlikimet, siç janë ata mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje imune dhe kardiovaskulare.
Grupi rekomandon që qytetarët të lajnë duart, të ajrosin rregullisht hapësirat, të kolliten ose të teshtijnë në bërryl, të qëndrojnë në shtëpi nëse janë të sëmurë dhe të mbajnë maskë në vende publike nëse kanë simptoma të lehta edhe deri në pesë ditë pas paraqitjes së tyre.
"Duke ndjekur me kujdes rekomandimet bazë, të cilat janë të vlefshme gjatë gjithë vitit, ne mund të kufizojmë kolektivisht rrezikun e kalimit në nivelin e alarmit të kuq dhe të shmangim mbingarkesën e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor", shpjegon RMG në kumtesën.

Sipas virologut Stiven Van Guht nga Instituti "Sansano", shpallja e një "alarm portokalli" nuk është e pazakontë për këtë kohë të vitit, veçanërisht kur ka rritje të infeksioneve të frymëmarrjes.
“Megjithatë, duke pasur parasysh presionin në rritje mbi spitalet, kjo na ka çuar në ndryshimin e nivelit të gatishmërisë, me rekomandime shtesë në lidhje me mbajtjen e maskës kur shfaqen simptoma, qoftë në transportin publik, në tubime publike, në sallat e pritjes së mjekëve apo në spitale”, deklaroi Van Guht për gazetën "Soar".
Ai thekson se këto janë "rekomandime, jo detyrime", duke theksuar se është përgjegjësi e të gjithëve të ndihmojnë në kufizimin e përhapjes së infeksioneve respiratore.
Kur bëhet fjalë për virusin RSV, Van Guht thekson se këtë sezon ai arriti "kulmin" e tij në fund të dhjetorit 2025, që është dukshëm më vonë se sezoni i kaluar.
"Qarkullimi i RSV është më i ulët tek fëmijët, gjë që padyshim është një efekt i vaksinimit. Megjithatë, ai po rritet tek ata mbi 65 vjeç, por kjo nuk është për t'u habitur, sepse virusi është dyfazësh, që do të thotë se prek së pari fëmijët dhe më pas të rriturit", thotë Van Gucht.
Sipas tij, qarkullimi i Kovid-19 në Belgjikë mbetet në një nivel të ulët për momentin. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s