Në Baku u hap zyrtarisht Konferenca për ndryshimet klimatike pranë KB-së (KOP29)
- Konferenca e njëzet e nëntë e shteteve (KOP) sipas Konventës kornizë të KB-së për ndryshimet klimatike (UNFCCC) u hap zyrtarisht sot në Baku të Azerbajxhanit.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:02, 11 nëntor, 2024
Baku, 11 nëntor 2024 (MIA) - Konferenca e njëzet e nëntë e shteteve (KOP) sipas Konventës kornizë të KB-së për ndryshimet klimatike (UNFCCC) u hap zyrtarisht sot në Baku të Azerbajxhanit.
Ministri i Industrisë dhe Teknologjive të Larta të EBA-s dhe kryetar i KOP28 në Dubai në vitin 2023, Sulltan al Xhaber, ia dorëzoi kryesimin e KOP ministrit të Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Azerbajxhanit, Muhtar Babaev. Babaev, para se të hyjë në politikë, ishte zëvendëskryetar i Ekologjisë së kompanisë shtetërore të naftës SOCAR të Azerbajxhanit.
Konsensusi nga Dubai sipas tij, është bazë për ambiciet globale të klimës dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke përfshirë marrëveshje për tranzicion të drejtë dhe të rregullt të energjisë dhe vendosjen e objektivave për të trefishuar kapacitetin e energjisë së rinovueshme, dyfishimin e efikasitetit të energjisë dhe ndalimin e shpyllëzimit deri në fund të dekadës.
Pas KOP28, iniciativat për klimën vazhduan, ndërsa Xhaber ka theksuar rëndësinë e Kartës së dekarbonizimit të naftës dhe gazit (OGDC), në të cilën janë përfshirë 55 kompani që mbulojnë 44 për qind nga prodhimi botëror i naftës. Gjithashtu, theksoi përpjekjet për Fondin e kompensimit të ndryshimeve klimatike, me bazë në Filipine dhe detyrime prej 850 miliardë dollarësh.
Ai i theksoi mjetet financiare si një moment kritik për qëllimet klimatike, duke përmendur edhe fondin e investimeve ALTERA, që synon investimet klimatike dhe transformimin e tregjeve në ekonomitë në zhvillim.
Muktar Babaev, pas emërimit të tij zyrtar si president i KOP29, theksoi dy shtyllat mbi të cilat qëndron presidenca e Azerbajxhanit në përpjekjet e saj: promovimin e ambicieve dhe arritjen e rezultateve.
Prioritet kryesor është arritja e një qëllimi të ri kolektiv të matur të drejtë dhe ambicioz që reflekton nevojat e vendeve në zhvillim, tha Babaev. Sipas fjalëve të tij, shumat e cituara “mund të duken të mëdha, por nuk janë asgjë në krahasim me koston e mosveprimit”.
Sekretari ekzekutiv në UNFCCC, Sajmon Stil, theksoi se konferencat klimatike janë vende të vetme ku vendet munden të përgjigjen për aktivitetet e tyre, dhe theksoi se, pa ta, "bota do të lëvizte drejt ngrohjes prej 5 gradë Celsius.
Stil e theksoi nevojën për një marrëveshje financiare globale dhe paralajmëroi se mungesa e zinxhirëve të furnizimit të qëndrueshëm do ta gjunjëzonte ekonominë globale.
"Financimi i klimës nuk është një aktivitet bamirësie," tha ai, duke bërë thirrje për qëllim kolektiv të klimës, sepse energjia e pastër është tashmë një investim financiar i rëndësishëm.
Stil u kujtoi pjesëmarrësve se në KOP29 duhet të arrihen rezultate të rëndësishme, duke bërë thirrje për vendosmëri dhe risi në aksionet rreth klimës. qa/
Foto: EPA