Murtezani: Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, Bekim Sali do të jetë zëvendës kryeministri i parë
- Vitin e ardhshëm nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk ka nevojë për to, thotë ministri për Çështje Evropiane dhe zëvendëskryetari i Alternativës (pjesë e VLEN-it), Orhan Murtezani, në intervistë për "360 gradë" në TVM 1.
- Post By Besnik Shuki
- 23:15, 6 tetor, 2025
Shkup, 6 tetor 2025 (MIA) - Vitin e ardhshëm nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk ka nevojë për to, thotë ministri për Çështje Evropiane dhe zëvendëskryetari i Alternativës (pjesë e VLEN-it), Orhan Murtezani, në intervistë për "360 gradë" në TVM 1.
Në pyetje nëse ekziston, megjithatë, një kontekst që mund të bëjë presion dhe ta detyrojë VMRO-DPMNE-në të vendosë për një veprim të tillë, veçanërisht nëse BDI është fituese në zgjedhje lokale, Murtezani përgjigjet se shumica qeveritare me 76 deputetë është e qëndrueshme.
"Kjo po lansohet qëllimisht nga ana e BDI-së, megjithatë ky diskurs ka qenë i pasuksesshëm disa herë. Menjëherë pas zgjedhjeve, të gjithë liderët e BDI-së pohuan se nuk ka gjasa VLEN-i dhe VMRO-DPMNE-ja të formojnë qeveri. Ne formuam një qeveri. Pastaj thanë, nuk ka gjasa që ato të zgjasin as 100 ditë, kanë kaluar 100 ditë. Epo, thanë do ta shihni pas Vitit të Ri, mbaroi, do të djegim gjithçka, nuk do ta lëmë këtë qeveri të kalojë. Shkojmë në zgjedhje lokale. Pra, për sa kohë që flasin kështu, ne do të vazhdojmë të fitojmë dhe të qeverisim", tha Murtezani.
Ai shtoi edhe se zgjedhjet e parakohshme do të thoshnin ngadalësim të projekteve që qeveria tanimë i ka filluar.
"Tani për tani, nuk shohim kurrfarë nevojë, sepse të gjitha ato masa që qeveria ka përgatitur dhe ndërmarrë për muaj të tërë, presim që rezultatet e para të shfaqen në vitin 2026. Nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, do të thotë se do ta humbim tërë vitin", shtoi Murtezani.
Lidhur me njoftimet për një ristrukturim të qeverisë deri në fund të vitit, Murtezani thekson se ato do të jenë të nevojshme nëse disa nga ministrat që tani janë kandidatë, zgjidhen kryetarë të komunave.
"Nuk dihet nëse do të ketë ristrukturim, sepse që ristrukturimi të jetë i suksesshëm, duhet të ndryshohet një e treta e qeverisë. Megjithatë, disa ministra do të zëvendësohen sepse do të bëhen kryetarë komune. Në këtë rast, do të nevojitet një ministër i ri i Mjedisit Jeetësor dhe një ministër i ri i Demografisë, Punës dhe Rinisë. Për momentin, dihet me siguri që zëvendëskryeministri i parë do të jetë Bekim Sali, deputeti ynë në Parlament, sepse funksionet që kishte Izeti, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit, do të ndahen. Pra, do të ketë ndryshime të caktuara. Sa do të jenë dhe cilat do të jenë, nuk e dimë tani për tani, por sigurisht që do të ketë ndryshime të caktuara", thekson Murtezani.
Ai gjithashtu thekson se brenda kornizës së koalicionit qeveritar, tanimë u dakordua që ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti aktual Bekim Sali të marrë funksionin e Mexhitit si zëvendëskryeministër i parë. Kjo, siç thotë Murtezani, nuk do të thotë një ministër tjetër në Qeveri nga VLEN, por më tepër ndarje të funksioneve - zëvendëskryeministri i parë dhe pozicioni ministror në mjedisin e jetesës.
Lidhur me fushatën zgjedhore, Murtezani thotë se veprimet mund ta bëjnë dikë "shqiponjë" ose politikan të suksesshëm, jo retorika që shërben si kërcënim se duhet të jesh pjesë e çdo qeverie. Lidhur me çështjet që dominojnë fushatën midis partive shqiptare, Murtezani thotë se "VLEN vazhdimisht flet për projekte, financim dhe buxhete, ndërsa BDI i ndez pasionet e shqiptarëve, duke dashur të mbulojë paaftësinë dhe korrupsionin".
"BDI, pasi në 22 vjet Ali Ahmeti nuk ka arritur të ndërtojë kanalizim për fshatin e tij, është shumë e vështirë të bindësh qytetarët se pas 22 vjetësh pushtet, tani do të ndërtosh kanalizim, një rrjet ujësjellësi, shkolla etj. Prandaj, duke marrë parasysh se ata do të përballen me pyetjen në terren - pse nuk i keni bërë më parë, ata po kalojnë nga projekte konkrete në një fushatë nacionaliste, në fyerje dhe ndezje të pasioneve të shqiptarëve, duke dashur t'i abuzojnë ata dhe t'i përdorin si mburojë për korrupsionin e tyre masiv", tha Murtezani.
Ai thotë se nuk do ta ulin nivelin, edhe pse mund të kenë të drejtën morale t'u përgjigjen më ashpër fyerjeve dhe sharjeve të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Por, thotë Murtezani, "kjo flet për atë se çfarë njeriu është, çfarë vlerash ka, sa demokrat është dhe bazuar në këto gjëra, bëhet e qartë se për çfarë profili njerëzish po flasim".
I pyetur nëse mbështetja e hapur e VMRO-DPMNE-së i ndihmon apo i pengon më shumë kandidatët e VLEN-it në këtë kontekst politik, Murtezani thotë se kjo mënyrë bashkëpunimi nuk ka filluar me ta dhe se raste të tilla kanë qenë tradicionale kur BDI ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në e Nikola Gruevskit, e pastaj edhe me LSDM-në. bsh/
Foto: MIA arkiv