• e premte, 05 dhjetor 2025

Murtezani në takimin e GAK-ut në Bruksel kushtuar sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

Murtezani në takimin e GAK-ut në Bruksel kushtuar sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 16 shtator 2025 (MIA) - Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Bruksel së bashku me kolegët e tij nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi do të marrin pjesë në takimin e Këshillit për Punë të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GAK), në të cilën një nga pikat janë dhe raportimet e Komisionit Evropian për sundimin e ligjit në vitin 2025. 

Siç paralajmëroi Ministria për Çështje Evropiane, është parashikuar që në takim të diskutohet për gjendjen në katër fushat e përfshira me Raportin e KE-së për sundimin e ligjit - sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, pluralizmin mediatik dhe lirinë e mediave dhe çështjet e tjera institucionale të lidhura me mekanizmat e kontrollit. 

Në Raport thuhet se vendi vazhdon të zbatojë reforma gjyqësore dhe ka marrë masa për të përmirsuar transparencën në gjyqësor, por mbeten "shqetësime të caktuara" në lidhje me vendimet e emërimeve dhe presioni ndaj gjyqësorti. 

"Në vijim janë proceset e hartimit të ligjeve në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë publike. Resurset e kufizuara financiare të ndara për gjyqësorin, vazhdojnë të ndikojnë në autonominë e tij financiare. Edhe pse mungesa e resurseve njerëzore u zbut pjesërisht nga punësimet e reja, mungesa e stafit mbetet shqetësuese", theksohet në dokument. 

Në të thuhet se vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar më tej mjetet digjitale për menaxhim me rastet dhe statistikat gjyqësore, por dhe më tutje ka sfida, siç është infrastruktura e vjetërsuar. 

Komisioni potencon se ndryshimet e Kodit Penal nga viti 2023 vazhdojnë të dëmtojnë ndjeshëm përpjekjet për të luftuar kundër korrupsionit, veçanërisht duke ndikuar në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. 

"Mbeten sfidat në lidhje me transparencën e pronësisë së medias. Edhe krahas disa përparimeve në përforcimin e mbrojtjes ligjore të gazetarëve, mjedisi i tyre i punës nuk është përmirësuar", vlerësohet në dokument. 

Në Raport shtohet dhe se Qeveria ka ndërmarrë masa për të përmirësuar bashkëpunimin me shoqërinë civile, e cila, megjithatë, tregon sfida, duke përfshirë ato që lidhen me gjuhën e urrejtjes në internet. 

Ndryshe, ministrat ose sekretarët shtetërorë të vendeve të BE-së përgjegjës për çështjet evropiane në seancën e sotme të GAK-ut, përveç raporteve për vendin, Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, do të diskutojnë edhe për zhvillimet e përgjithshme të lidhura me sundimin e ligjit në vendet anëtare të BE-së. 

Në takim do të diskutohet dhe për propozimin e rendit të ditës për takimin e Këshillit Evropian më 23 dhe 24 tetor, ndërsa Komisioni do të paraqesë edhe letër për qëllime për programin ligjvënës të BE-së. 

Para fillimit të takimit të GAK-ut, paradite do të mbahet Konferenca e gjashtë e anëtarsimit Shqipëri-BE, në të cilën do të hapen katër kapituj nga Klasteri 4 - "Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme" në procesin e negociatave dhe kapitujt 14 - "Politika transportuese", 15 - "Energjia", 21 - "Rrjeti transevropian" dhe 27 - "Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike". Me këtë Shqipëria do të hapë 24 nga 33 kapituj në negociata. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s 
 

QËNDRONI TË LIDHUR