"Muri nga dronët" i BE-së mund të bëhet operativ për një vit
- – “Muri i dronëve” i paralajmëruar mund të bëhet operativ në afat prej një viti, me çka BE-ja dukshëm do t’i përmirësonte kapacitetet e saja për zbulimin e fluturakeve pa pilot, deklaroi eurokomisari për mbrojtje dhe hapësirë, Andrius Kubilius.
- Post By Fitore Curri
- 14:30, 24 shtator, 2025
Bruksel, 24 shtator 2025 (MIA) – “Muri i dronëve” i paralajmëruar mund të bëhet operativ në afat prej një viti, me çka BE-ja dukshëm do t’i përmirësonte kapacitetet e saja për zbulimin e fluturakeve pa pilot, deklaroi eurokomisari për mbrojtje dhe hapësirë, Andrius Kubilius.
“Duhet ta kuptojmë se na mungojnë kapacitetet për zbulimin e dronëve. Ndoshta kemi kapacitete të mira për zbulimin e aeroplanëve dhe raketave, por dronët kanë specifika, sepse fluturojnë shumë ulët dhe janë të vegjël”, theksoi Kubilius për “Euroaktiv”.
Lansimin e mundshëm të “Murit të dronëve” për një vit e konfirmoi edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian për sovranitet teknologjik dhe mbrojtje, Toma Renie në brifingun e sotëm për media në KE.
“Komisari (Kubilius) e paralajmëroi kornizën ligjore prej një viti. Ai është pak më optimist kur bëhet fjalë për fillimin e tij, sepse për të gjithë këtë duhet të diskutohet në nivel teknik”, shtoi Renie.
Ai njoftoi se përveç tetë shteteve anëtare të shpallura më parë – Bullgaria, Danimarka, Estonia, Letonia. Lituania, Polonia, Rumania dhe Finlanda dhe plus Ukraina, drejt nismës “Muri i dronëve” u përfshinë edhe Sllovakia, duke shtuar se “ndërtimi” i tij do të jetë temë edhe e bisedimeve me NATO-n, në kuadër të përkushtimit të BE-së për bashkëpunim me partnerët e Aleancës.
Renie theksoi se megjithatë më shumë hollësi për gjithë projektin do të dihen pas takimit të Kubilius me përfaqësues të vendeve të përfshira në projekt, i cili është paraparë për të premten.
“Nuk do të jetë vetëm një takim që do të duket mirë në letër, por një takim me angazhim të fortë dhe rezultate konkrete”, deklaroi Renie, duke shtuar se krijimi i “Murit të dronëve” është një nevojë reale për BE-në dhe për këtë arsye Komisioni pret angazhim të fortë nga shtetet anëtare që do të marrin pjesë në takim. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s