• e diel, 22 dhjetor 2024

"Muri i Nderit" në Prishtinë për kosovarët që shpëtuan hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore

Prishtinë, 23 gusht 2023 (MIA) - "Muri i Nderit" është inauguruar sot në parkun e kryeqytetit të Kosovës, në kujtim të shqiptarëve të Kosovës që kontribuan në shpëtimin e hebrenjve vendas nga persekutimi nazist në Luftën e Dytë Botërore, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në ceremoninë e organizuar nga Shoqata për Miqësi Kosovë-Izrael dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, morën pjesë përfaqësues të shumtë të institucioneve të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, si dhe anëtarë të trupit diplomatik dhe të institucioneve ndërkombëtare në vend dhe mysafirë të tjerë nga vendi dhe nga jashtë.

"Ky Mur i Nderit" shërben si monument i akteve heroike, por edhe si monument i vlerave të përbashkëta dhe miqësisë së popullit kosovar dhe hebre në mbarë botën. Për të dy popujt, ishte themelimi i shtetit – shtetit të Izraelit dhe shtetit të Kosovës – që më në fund i dha popullit të Kosovës dhe Izraelit ndjenjën e fortë të atdheut që u ishte privuar në të kaluarën", tha Kurti.

Të pranishmëve iu drejtua edhe ish-kongresmeni amerikan, kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Xho Diogardi dhe bashkëshortja e tij, Shirli Klojs Diogardi, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, të cilët shprehën respekt për sakrificën dhe tolerancën e shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier tha me atë rast se sakrifica e kosovarëve për nder të të cilëve u ngrit monumenti në Prishtinë, duhet të shërbejë si frymëzim për gjeneratat e reja dhe "për dyfishimin e përpjekjeve për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, në të cilën të gjithë do të jetojnë me dinjitet dhe paqe". ia/sa/

QËNDRONI TË LIDHUR