• e diel, 22 dhjetor 2024

MPJ e Ukrainës i dënoi aksionet "provokuese" ruse në Detin e Zi

MPJ e Ukrainës i dënoi aksionet

Kiev, 14 gusht 2023 (MIA) - Ukraina sot i dënoi, siç tha, aksionet provokuese ruse, një ditë pasi që një anije ushtarake ruse qëlloi me të shtëna paralajmëruese drejt një anijeje mallrash në Detin e Zi.

"Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës i dënon ashpër veprimet provokuese që i kreu Federata ruse më 13 gusht në Detin e Zi lidhur me anijen turke të mallrave 'Sukru Okan' e cila ishte rrugës drejt portit Izmail. Marina ruse në mënyrë të ashpër e shkeli kartën e KB-së, Konventën e KB-së për të drejtën e detit dhe normat e tjera të së drejtës ndërkombëtare. Këto aksione janë shembull për politikën e qëllimshme të Rusisë për rrezikim të lirisë së navigacionit dhe sigurisë së anijes komerciale në Detin e Zi", thuhet në kumtesën e Ministrisë.

Së paku tre persona janë plagosur në dy valë të fluturakeve ruse pa pilot dhe sulmeve raketore gjatë natës ndaj qytetit port - Odesa, kumtuan sot persona zyrtarë dhe ushtria në rajonin e Detit të Zi në Ukrainë.

"Si rezultat i sulmit armiqësor në Odesa, shpërthyen disa zjarre për shkak të rënies së copëve të raketës", tha guvernatori Oleh Kiper në kanalin Telegram.

Vala goditëse i theu xhamat e ndërtesave.

Komanda jugore e forcave të armatosura ukrainase kumtoi se forcat e saj për mbrojtje kundërajrore i shkatërruan të gjitha 15 fluturaket pa pilot dhe tetë raketa të llojit Kalibr, lansuar nga Rusia në port.

Një konvikt dhe një supermarket janë dëmtuar nga rënia e mbetejeve të predhës, kumtoi komanda në rrjetet sociale.

Odesa, porti më i madh dhe bazë detare në Ukrainë, vazhdimisht u sulmua me predha dhe fluturake pa pilot pasi që Rusia u tërhoq nga marrëveshja me të cilën lejohet dërgesa e grurit nga portet ukrainase në korrik. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR