• e enjte, 04 dhjetor 2025

Moska do të jetë nikoqir i raundit të ardhshëm të negociatave ruso-amerikane

Moska do të jetë nikoqir i raundit të ardhshëm të negociatave ruso-amerikane

Moskë, 11 qershor 2025 (MIA) - Negociatat midis SHBA-së dhe Rusisë për të tejkaluar problemet në marrëdhëniet dypalëshe do të zhvendosen nga Stambolli në Moskë, bëri të ditur ambasadori i ri rus në Uashington, Aleksandar Darçiev.

"Kthimi i marrëdhënieve ruso-amerikane në një rrugë pozitive është ende larg", deklaroi Darçiev, duke shtuar se afrimi me Moskën po pengohet nga i ashtuquajturi "shtet i thellë" në SHBA dhe "skifterët" antirusë në Kongres. Ai konfirmoi se raundi i ardhshëm i negociatave midis delegacioneve do të mbahet në Moskë në të ardhmen e afërt.

Sipas ambasadorit, Rusia është e hapur për punë të përbashkët për të zgjidhur situatën në Ukrainë, duke përfshirë dhe adresimin e shkaqeve rrënjësore të krizës, si dhe aspektet e tjera të agjendës së gjerë të marrëdhënieve ruso-amerikane, të cilat gradualisht po fillojnë të "shkrihen".

"Zgjedhja midis konfrontimit dhe bashkëpunimit pragmatik varet nga pala amerikane", theksoi Darçiev. 

Ai theksoi se Rusia gjithmonë ka potencuar gatishmërinë e saj për dialog të hapur dhe të sinqertë ndërshtetëror të bazuar në barazi, reciprocitet dhe respekt për interesat kombëtare të palës tjetër. Sipas tij, pas "shkatërrimit" të marrëdhënieve dypalëshe nga administrata e mëparshme amerikane e cila hapur mbështeti "disfatën strategjike" të Rusisë, administrata e re në Shtëpinë e Bardhë tregon një qëllim për të rinovuar lidhjet dhe për t'u sjellë atyre racionalitet, gjë që jep njëfarë shprese për përmirësim.

"Për dallim nga periudha e mëparshme, bashkëbiseduesit tanë në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit nuk po na shmangin dhe nuk po i zëvendësojnë diskutimet thelbësore me monologje dhe dënime, por po zgjedhin negociata pragmatike në vend të fjalëve boshe", tha Darçiev. Ai shtoi se, megjithëse qëndrimet e ndryshme mbi shumë çështje dhe vështirësi në gjetjen e terrenit të përbashkët nuk garantojnë rezultate të shpejta, dinamika e vendosur e negociatave ofron impuls pozitiv të nxitur nga katër bisedat telefonike midis presidentit rus dhe amerikan pas ndryshimit të administratës në Uashington.

Darçiev paralajmëroi se Rusia pret që negociatat me SHBA-në të fillojnë së shpejti për rinovimin e rrugëve ajrore të drejtpërdrejta midis dy vendeve.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar konfrontimin më të madhë midis Moskës dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë. Në vitin 2024, diplomatë të lartë nga të dyja palët deklaruan se marrëdhëniet dypalëshe nuk kishin qenë kurrë më të këqija. Presidenti amerikan, Donald Tramp e ka përshkruar konfliktin në Ukrainë si luftë ndërmjetësuese midis SHBA-së dhe Rusisë, duke shprehur shqetësim për mundësinë e përshkallëzimit të tij në konflikt botëror. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR