Mishel: Për herë të parë pas shumë vitesh kemi debat të nivelit të lartë për zgjerimin
- Për zgjerimin e Unionit, kandidatët për anëtarësim duhet t'i zbatojnë reformat, ndërsa BE-ja nga ana e saj duhet të përgatitet për pranimin e tyre dhe kjo është hera e parë pas shumë vitesh që të kemi debat të nivelit të lartë për çështje kaq themelore dhe të rëndësishme, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel gjatë arritjes në Samitin e sotëm joformal të BE-së që mbahet në qytetin e Granadës.
- Post By Fami Bajrami
- 10:50, 6 tetor, 2023
Granada, 6 tetor 2023 (MIA) - Për zgjerimin e Unionit, kandidatët për anëtarësim duhet t'i zbatojnë reformat, ndërsa BE-ja nga ana e saj duhet të përgatitet për pranimin e tyre dhe kjo është hera e parë pas shumë vitesh që të kemi debat të nivelit të lartë për çështje kaq themelore dhe të rëndësishme, deklaroi kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel gjatë arritjes në Samitin e sotëm joformal të BE-së që mbahet në qytetin e Granadës.
"Ky do të jetë një takim i rëndësishëm i Këshillit Evropian, sepse paraqet pikënisje për agjendën strategjike të BE-së. Është e rëndësishme për ne që të sqarojmë disa gjëra - çfarë duam në të ardhmen, cilat janë prioritetet tona dhe cila është politika jonë e ardhshme, për të ardhur te perspektiva e zgjerimit", shtoi Mishel.
Sipas tij, në kuadër të BE-së duhet të zgjidhet çështja e mënyrës së marrjes së vendimeve të përbashkëta, si dhe ajo si do të paguhet zbatimi i qëllimeve dhe politikave të përbashkëta.
Në pyetjen e gazetarëve për gatishmërinë e BE-së për zgjerim, Mishel theksoi se fakti që Unioni hap debat për këtë çështje do të thotë se ai është gati për këtë.
"Debati demokratik është legjitim dhe liderët e 27 vendeve filluan këtë diskutim dhe tani duhet të identifikojmë dhe të vendosim se çfarë duam në afatshkurtër, çfarë në afatmesëm, në mënyrë që të arrijmë progres. Kjo është një pikënisje dhe qëllimi është të arrihet një lloj orientimi mbi të cilin presidenca belge duhet të punojë vitin e ardhshëm", shtoi Mishel.
Lidhur me marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, ai kujton se i ftoi liderët e dy vendeve në një takim në Bruksel në fund të tetorit dhe se ata e pranuan ftesën, duke vlerësuar se do të jetë shumë e vështirë të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve , por që BE do të përdorë të gjitha mjetet për të arritur këtë qëllim. si/
Foto: Skrinshot