• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Mishel: BE-ja duhet të vendos një qëllim për zgjerimin e ardhshëm që të jetë e gatshme për pranimin e anëtarëve të rinj

Mishel: BE-ja duhet të vendos një qëllim për zgjerimin e ardhshëm që të jetë e gatshme për pranimin e anëtarëve të rinj

Bruksel, 31 gusht 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian duhet të vendos një kornizë kohore për zgjerimin e ri, sepse nëse nuk vendoset ky qëllim, BE-ja asnjëherë nuk do të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj, tha kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

"Në atë mënyrë, justifikimet nuk do të jenë më të mundshme nga asnjëra anë. Një gjë është e qartë, nëse nuk vendosim një qëllim, nuk do të jemi asnjëherë gati", tha Mishel në brifingun me një grup korrespondentësh nga Brukseli.

Sipas tij, caktimi i një date konkrete për zgjerimin do të inkurajojë BE-në që të përgatitet për këtë proces dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor ju jep një kornizë kohore specifike në përmbushjen e detyrimeve të tyre.

Mishel në fjalimin në Forumin strategjik të Bled në fillim të kësaj jave deklaroi se BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, gjë që shkaktoi reagime si në Bruksel ashtu edhe në mesin e vendeve kandidate për anëtarësim.

Në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve për koment rreth deklaratës së Mishelit në Bled, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinant dje deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është prioritet politik për KE-në, por është një proces i bazuar në merita. Sipas saj, KE-ja nuk është e fokusuar në data, por në bashkëpunim të ngushtë me vendet kandidate për t'u përgatitur për hyrjen në BE.

"Zgjerimi për ne është prioritet politik. Mund të theksoj vetëm qëndrimin tonë dhe vizionin tonë për zgjerim dhe mënyrën më të mirë për të menaxhuar procesin. Fjala kyçe për ne dhe thelbi është se zgjerimi është i bazuar në merita dhe duhet të bazohet në merita", theksoi Spinant.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhosep Borel sot në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit joformal të shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të Unionit në qytetin spanjoll Toledo deklaroi se vendosja e një afati kohor për zgjerim mund të mobilizojë energjinë e BE-së dhe vendeve kandidate për anëtarësim.

"Ukraina do të bëhet anëtare e BE-së, e poashtu edhe Ballkani Perëndimor. Por vendosja e një afati kohor (për zgjerimin) mund të mobilizojë energjinë tonë dhe energjinë e vendeve kandidate për anëtarësim", theksoi Borel, duke paralajmëruar se me propozim të presidencës spanjolle me BE-në në fund të muajit të ardhshëm do të mbahet takim i përbashkët i shefave të diplomacisë së anëtarëve të Unionit me homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai theksoi se një vend do të bëhet anëtare kur t'i plotësojë të gjitha kushtet, por është e rëndësishme t'i jepet shtysë politike procesit, duke shtuar njëherësh se "vetë Unioni duhet të përgatitet për procesin e pranimit të anëtarëve të rinj".

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR