• e martë, 23 korrik 2024

Ministrja Haxhiu po intervistohet në prokurori pas deklaratave për përfshirjen e Serbisë në arratisjet nga burgjet e Kosovës

Ministrja Haxhiu po intervistohet në prokurori pas deklaratave për përfshirjen e Serbisë në arratisjet nga burgjet e Kosovës

 Prishtinë, 22 korrik 2024 (MIA) - Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, është intervistuar sot në Prokurorinë Speciale pasi ka thënë se grupet kriminale të lidhura me Qeverinë në Serbi kanë pasur rol në arratisjen e disa të burgosurve nga burgjet e Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

 Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi,  për mediat deklaroi se me Haxhiun  është duke u biseduar që të zbardhet deklarata e saj të disa javëve më parë për takime dhe biseda të mundshme me prokurorë dhe gjykatës për lëndë të caktuara, si dhe për postimin e së shtunës në Fejsbuk lidhur lidhur me arratisjet nga burgjet.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, më datë 2 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjykatës për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Fejsbuk të datës 20 korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës”, tha Kozmaqi. 

Ajo tha se "intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër". 

Haxhiu tha të shtunën se ka informacione se disa raste të arratisjeve "janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë". 

Ajo tha se "ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës” dhe se “shpeshtimi sistematik i këtyre rasteve në këtë periudhë nuk ka asnjë kuptim tjetër përpos qëllimit politik agresiv të fqinjit tonë verior". 

Në të njëjtin postim, ajo shkroi se “një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës".  

 
 

 
 
 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR