• e premte, 05 dhjetor 2025

Ministria palestineze e Shëndetësisë pretendon se 57 fëmijë në Gazë kanë vdekur nga uria

Ministria palestineze e Shëndetësisë pretendon se 57 fëmijë në Gazë kanë vdekur nga uria

Gjenevë, 13 maj 2025 (MIA) - Pesëdhjetë e shtatë fëmijë kanë vdekur nga pasojat e kequshqyerjes gjatë bllokadës së vazhdueshme në Rripin e Gazës, deklaroi sot Rik Piperkorn, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke cituar ministrin palestinez të Shëndetësisë. 

Piperkorn i cili përfaqëson OBSH-në në territorin palestinez, në video thirrje tha se organizata e KB-së ende nuk i ka konfirmuar këto numra. 

Megjithatë, ai vuri në dukje se OBSH-ja ka vërejtur rritje të numrit të fëmijëve të kequshqyer.

Në lidhje me këtë, ai raportoi shumë pacientë të rinj me pneumoni dhe sëmundje gastrointestinale.

"Zakonisht nuk vdiset nga uria, vdiset nga sëmundjet që lidhen me të", tha ai. 

Nga selia e OBSH-së në Gjenevë u tha se në javët e fundit, më shumë se 57 fëmijë mund tashmë të kenë vdekur për shkak të krizës me ushqim.

Nga fillimi i muajit mars, ushtria izraelite nuk po lejon dërgimin e ndihmave në Rripin e Gazës.

Forcat e armatosura akuzojnë organizatën ekstremiste të Hamasit se shet rezerva të ndihmës me çmim të lartë për popullatën e cila vuan dhe se i shfrytëzon të ardhurat për të paguar luftëtarët e tyre dhe blerjen e armëve.

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi të KB-së (FAO) në fillim të javës paralajmëroi eskalimin e urisë në zonën bregdetare, bazuar në një analizë të kohëve të fundit që tregon se e gjithë popullsia e Rripit të Gazës - rreth 2.1 milionë njerëz - është e prekur nga pasiguria akute ushqimore. Prej tyre, 244.000 persona tashmë po vuajnë nga uria", njoftoi FAO. qa/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR