• e enjte, 04 dhjetor 2025

Ministri turk i Transportit gjobitet për ngasje të shpejtë të makinës me 224 km/orë

Ministri turk i Transportit gjobitet për ngasje të shpejtë të makinës me 224 km/orë

Ankara, 25 gusht 2025 (MIA) – Ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloglu është gjobitur për ngasje të shpejtë të makinës pasi në rrjetet sociale postoi një video ku drejtonte makinën me 224 km/orë në një autostradë, bëri të ditur faqja turke e lajmeve T24.

Uraloglu e ndau videon për të promovuar autostradën Ankara-Nigde, por pamjet e tregojnë atë duke vozitur dukshëm më shpejt se limiti prej 140 km/orë.

Postimi shkaktoi reagime të ashpra në rrjetet sociale, me çka përdoruesit kritikuan ministrin për shpërfillje të rregullave të trafikut.

"Pse nuk i respektoni kufijtë e shpejtësisë, z. ministër?" pyeti një qytetarë, ndërsa një tjetër komentoi: "Ky është një vend ku ministri nuk i respekton kufizimet dhe qytetarët gjobiten pa problem."

Pas reagimeve, Uraloglu konfirmoi se është kapur nga radari dhe është gjobitur për shpejtësi të lartë. "U ula pas timonit për të kontrolluar autostradën Ankara-Nigde dhe për një moment, pa e ditur tejkalova shpejtësinë. Respektimi i shpejtësisë është detyrim për të gjithë", shkroi ai, duke shtuar se në të ardhmen do të jetë më i kujdesshëm.

foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR