• e premte, 30 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Ministri polak i Punëve të Jashtme: Luftërat, krizat dhe dezinformimi minojnë rendin ndërkombëtar

Ministri polak i Punëve të Jashtme: Luftërat, krizat dhe dezinformimi minojnë rendin ndërkombëtar

Varshavë, 24 prill 2025 (MIA) - Polonia po përballet me situatën më të vështirë ndërkombëtare në dekadat e fundit, paralajmëroi ministri polak i Punëve të Jashtme, Radosllav Sikorski në fjalimin e tij vjetor në Parlament.

"Në ditët e sotme, bota po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme: luftë në kufijtë tanë, ndryshime në balancën ndërkombëtare të fuqisë, krizat globale ekonomike dhe politike po dëmtojnë stabilitetin në të cilin Evropa është mbështetur me vite", tha Sikorski.

Ai deklaroi se polakët janë të shqetësuar dhe të pasigurt për të ardhmen.

Sikorski theksoi gjithashtu disa pyetje që, sipas tij, shqetësojnë qytetarët: "A jemi edhe ne të ekspozuar ndaj agresionit rus? A po shkojnë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Evropës drejt një krize? A mundet Evropa të forcojë shpejt kapacitetet e saj mbrojtëse?"

Sipas tij, katër trende shqetësuese mund të përkeqësohen: ndarja e botës në sfera të ndikimit dhe jo në aleanca; braktisja e normave dhe sovranitetit global në favor të pushtetit; dobësimi i organizatave ndërkombëtare në favor të marrëdhënieve dypalëshe, marrëdhëniet transaksionale; dhe dezinformimi, i cili mjegullon kufirin midis së vërtetës dhe gënjeshtrës në diskursin publik.

"Politika e re revizioniste dhe politika e vjetër e zbutjes po minojnë rendin juridik ndërkombëtar mbi të cilin bazohet zhvillimi i Polonisë," tha Sikorski. "Po ngrihen pyetje rreth qëndrueshmërisë së themeleve tona të sigurisë - komunitetit evropian dhe bashkëpunimit transatlantik," shtoi ai.

Në fjalimin e tij morën pjesë zyrtarë të lartë polakë, përfshirë presidentin Andzhej Duda. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR