Ministri Limani për vizitë në Korçë, paralajmëron hapjen e konsullatës së Maqedonisë në këtë qytet
- Me rastin e hapjes zyrtare të sezonit turistik në qytetin e Korçës, sot u zhvillua një takim i rëndësishëm ndërinstitucional mes përfaqësuesve vendorë dhe përfaqësuesve të lartë nga Maqedonia e Veriut, ku kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, priti në takim zyrtar ministrin, Fatmir Limani.
- Post By Fami Bajrami
- 23:13, 7 qershor, 2025
Korçë, 7 qershor 2025 (MIA)- Me rastin e hapjes zyrtare të sezonit turistik në qytetin e Korçës, sot u zhvillua një takim i rëndësishëm ndërinstitucional mes përfaqësuesve vendorë dhe përfaqësuesve të lartë nga Maqedonia e Veriut, ku kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, priti në takim zyrtar ministrin, Fatmir Limani.
Në deklaratën e tij për mediat, ministri Limani përcolli një mesazh të qartë për nevojën e forcimit të lidhjeve mes dy vendeve, duke theksuar se bashkëpunimi duhet të kalojë në një nivel më të institucionalizuar. Ai bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia për hapjen e një konsullate të Maqedonisë së Veriut në Korçë, si një hap konkret drejt intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në sektorin e turizmit, njofton cna.al.
"Ka lajme pozitive. Ne do të përpiqemi që në të ardhmen të krijojmë kushte për hapjen e një konsullate këtu, të emërojmë një konsull këtu dhe ai të merret më rrënjësisht, me guxim e pa frikë në kuptimin e hapjes së të gjitha dyerve për bashkëpunim, si në aspektin e tour operatorëve që janë edhe pjesë e Maqedonisë së Veriut edhe të pjesës së Shqipërisë. Në fund të fundit, edhe në rast se i sjellin vizitorët këtu në Korçë nuk kanë çfarë të humbin, përveçse përfitimit të dyanshëm", tha Limani.

Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe kulturor, duke kujtuar edhe faktin që Shqipëria ka qenë një nga shtetet e para që njohu pavarësinë e Maqedonisë së Veriut.
Në një vështrim më të gjerë, ai tha se vendet tona ndajnë jo vetëm një histori të përbashkët, por edhe një potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar ura të reja në fushën e ekonomisë, kulturës dhe turizmit.
"Mendoj se s'ka të bëjë këtu edhe pjesa e frikës, ndrojes, sepse Shqipëria është nga shtetet e para e cila pranoi pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vende të tjera fqinje akoma edhe sot kemi kontestime të paqartësuara e të papranueshme për palën tjetër. Sido që të jetë, mendoj se është më tepër vullnet i yni i dyanshëm për të bashkëvepruar. Të shfrytëzojmë të gjitha pasuritë që i kemi, edhe kulturën e dyanshme sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shtegtojmë drejt asaj që është qëllimi i përbashkët", u shpreh ministri Limani.

Ky takim në Bashkinë e Korçës vjen në një moment kur të dy vendet po kërkojnë forma të reja bashkëpunimi në rajon, jo vetëm në kuadër të integrimit evropian, por edhe përmes projekteve të përbashkëta që prekin jetën e përditshme të qytetarëve dhe nxisin zhvillimin turistik në të dy anët e kufirit.
Korça, Ohri, Struga dhe gjithë zona përreth kanë tashmë potencialin për t’u kthyer në një korridor turistik ndërballkanik, ku vizitorët nga rajoni dhe më gjerë të mund të shijojnë kulturën, natyrën, mikpritjen dhe traditat që i bëjnë këto vende unike.
Foto: Fejsbuku i ministrit Limani