• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Ministri izraelit bëri thirrje për okupimin e Gazës dhe rindërtimin e tempullit në vendin e Al-Aksës

Ministri izraelit bëri thirrje për okupimin e Gazës dhe rindërtimin e tempullit në vendin e Al-Aksës

Jerusalem, 27 maj 2025 (MIA) – Ministri i Financave të Izraelit, Becalel Smotriç ka shkaktuar polemika të reja me thirrjet për okupimin dhe popullimin e Rripit të Gazës si dhe rindërtimin e tempullit në vendin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem.

Gjatë të ashtuquajturit "Marshi për flamurin", një aktivitet i organizuar nga grupe të ekstremit të djathtë në Qytetin e vjetër në Jerusalem u mblodhën politikanë izraelitë dhe mbështetës të tyre duke brohoritur slogane të tilla si "Vdekje për arabët" dhe "Le të digjen fshatrat tuaja".

Smotriçi, duke iu drejtuar të pranishmëve, deklaroi se Izraeli nuk ka më frikë nga termi okupim.

"A kemi frikë nga fitorja? A kemi frikë nga fjala okupim? Jo. Po pushtojmë dhe popullojmë tokën izraelite, po e çlirojmë Gazën, po popullojmë Gazën dhe po mposhtim armikun”, ka thënë ministri.

Ai shtoi se me "ndihmën e Zotit" do të zgjerojë kufijtë e Izraelit, do të arrinte "shpengimin e plotë" dhe do të rindërtonte tempullin në vendin e Al-Aksës.

Deklaratat e Smotriçit janë vlerësuar si provokuese dhe përkeqësojnë më tej situatën tashmë të tensionuar në rajon, veçanërisht midis komuniteteve izraelite dhe palestineze.

foto: arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR