Ministri i Mbrojtjes së BeH: 20 viktima në përmbytje, Jabllanica është shkëputur
- Ministri i Mbrojtjes së BeH, Zukan Helez, njoftoi se jozyrtarisht ka marrë informacione për 20 viktima në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Komunën e Jabllanicës, e cila gjendet në veri të kantonit Hercegovina-Neretva (KHN) në Bosnje e Hercegovinë.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:58, 4 tetor, 2024
Sarajevë, 4 tetor 2024 (MIA) - Ministri i Mbrojtjes së BeH, Zukan Helez, njoftoi se jozyrtarisht ka marrë informacione për 20 viktima në përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut në Komunën e Jabllanicës, e cila gjendet në veri të kantonit Hercegovina-Neretva (KHN) në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Administratës Federale për Mbrojtjen Civile, ata i kanë dërguar kërkesa Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme dhe Forcave të Armatosura të BeH për ndihmë. Helez, në deklaratën për Al Xhezira, theksoi se nga rrënojat janë shpëtuar një fëmijë dhe një grua, por ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga MPB-ja.
Portali Kliks raporton se në aksionin e kërkim-shpëtimit, përveç ushtarëve të Forcave të Armatosura të BeH-së, marrin pjesë edhe forcat speciale britanike që kanë qenë duke u trajnuar në vend.
Për sot është caktuar seancë urgjente e Këshillit të ministrave të BeH për përmbytjet.
Fotografitë që vijnë nga Jabllanica janë dramatike - shtëpitë janë nën ujë, një numër i madh i automjeteve janë marrë nga uji, ndërsa tërësisht është shkatërruar rruga në afërsi të Komadinovo vrelo.
Komunikacioni drejt pjesës jugore të BeH është rënduar, shumë rrugë janë të bllokuara dhe e vetmja mënyrë për të shkuar nga Sarajeva në Mostar është përmes Bosnjës qendrore. Qeveria e BeH i paralajmëron qytetarët të mos udhëtojnë drejt Jabllanicës dhe Mostarit. Në fshatin Jabllanicë e Poshtme, nga xhamia shihet vetëm minarja, ndërsa rruga drejt Blidinjes nga Jabllanica është tërësisht e shkatërruar për shkak të përmbytjeve katastrofale.
Administrata federale e mbrojtjes civile njoftoi se kishte nevojë të madhe për makineri të rënda për të pastruar, pasi rrëshqitjet e dheut ndodhën në disa vende.
Shërbimi i shpëtimit pyjor nga Jabllanica u bëri thirrje banorëve që të regjistrohen për t'i ndihmuar shpëtimtarët dhe zjarrfikësit në operacionet e shpëtimit. Nga stacioni i zjarrëfikësve në Jabllanicë deklaruan për Kliks se vendbanimi është tërësisht i shkëputur dhe i bllokuar.
Administrata federale e mbrojtjes civile njoftoi se është ndërprerë komunikimi rrugor në akset Jabllanicë-Mostar, Jabllanicë-Risovac, Jabllanicë-Prozor Rama dhe Jabllanicë-Konjic.
Përveç Jabllanicës, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, janë përmbytur rrugët dhe objektet e banimit në Kiseljak dhe Kreshevë. Shërbimi i mbrojtjes civile i Komunës së Kiseljakut bëri thirrje që banorët që të mos udhëtojnë dhe në raste emergjente të kontaktojnë shërbimin e tyre, zjarrfikësit, ambulancën apo policinë.
Shkolla e mesme "Ivan Goran Kovaçiq" në Kiseljak njoftoi se mësimdhënia është shtyrë për shkak të përmbytjeve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia ëshë e gatshme menjëherë ta ndihmojë Bosnjë e Hercegovinën, e cila aktualisht po përballet me përmbytje, nëse është kërkohet.
Vuçiqi shprehu ngushëllime deri te familjarë e viktimave dhe njoftoi gatishmëri për dërgimin e helikopterëve, anijeve dhe ndihmave financiare. qa/
Foto: EPA