• e diel, 22 dhjetor 2024

Ministrat evropianë të punëve të brendshme më 14 shtator takohen në Tiranë

Ministrat evropianë të punëve të brendshme më 14 shtator takohen në Tiranë

Tiranë, 9 shtator 2023 (MIA) - Ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, informoi se javën e ardhshme në Tiranë do të mbahet takimi i ministrave të punëve të brendshme të vendeve pjesëmarrëse në procesin e Berlinit, takim i cili i paraprin Samitit në Tiranë, që do të mbahet muajin e ardhshëm.

Ministri Balla përmes një postimi në rrjetet sociale deklaron se gjatë takimit të zhvilluar sot me euroambasadorin Luixhi Soreca në Tiranë, ka nënvizuar se kryefjalë e diskutimeve ka qenë bashkëpunimi me BE në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, apo luftën kundër krimit të organizuar.

"Javën e ardhshme mirëpresim në Tiranë ministrat e brendshëm të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit. Takimi i Ministrave të Brendshëm paraprin Samitin e Tiranës dhe synon thellimin e bashkëpunimit, integrimit rajonal dhe pëshpejtimin integrimit të  vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian", shkroi Balla.

Ai shtoi se me euroambasadorin Luixhi Soreca, i saporikthyer në Tiranë, diskutuan edhe për bashkëpunimin e ngushtë me BE në çështje që lidhen me sigurinë, migracionin, luftën kundër krimit të organizuar si dhe mbështetjen e nevojshme në kuadër të programeve IPA.

Soreca, pas një viti nga largimi nga funskioni ambasador i delegacionit të BE-së, në Tiranë u kthye në fillim të muajit dhe do të mbetet deri në emërimin e euroambasadorit të ri.

Përndryshe, siç kumtoi këto ditë ambasada gjermane në këtë vend, Procesi i Berlinit vjen për herë të parë në rajon, më saktësisht në Tiranë, më 16 tetor ku do të mbahet takimi i ardhshëm i nivelit të lartë.

Qëllimi i Procesit të Berlinit është thellimi i integrimit rajonal dhe lidershipit të vendeve ballkanike. ab/

Foto: Balla FB

 

QËNDRONI TË LIDHUR