• e premte, 05 dhjetor 2025

Ministrat e Financave të G7 shqyrtojnë sanksione dhe tarifa të mundshme ndaj mbështetësve rusë të luftës

Ministrat e Financave të G7 shqyrtojnë sanksione dhe tarifa të mundshme ndaj mbështetësve rusë të luftës

Otavë, 13 shtator 2025 (MIA) - Ministrat e financave të vendeve të G7 diskutuan futjen e mundshme të sanksioneve dhe masave tregtare, të tilla si tarifat, kundër vendeve që ata besojnë se po e "mundësojnë" luftën e Rusisë në Ukrainë, njoftoi Ministria kanadeze e Financave.

Gjatë takimit në Otavë, ministrat ranë dakord të përshpejtojnë diskutimet mbi përdorimin e fondeve të ngrira ruse për të financuar mbrojtjen e Ukrainës dhe diskutuan "një gamë të gjerë masash të mundshme ekonomike për të rritur presionin ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksione shtesë dhe masa tregtare - për shembull, tarifa - mbi ato që mundësojnë përpjekjet ushtarake të Rusisë", thuhet në kumtesë.

Ministri i Financave i SHBA-së Skot Besant, dhe përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Xhejmison Grir, u thanë ministrave të tjerë të financave se duhet t'i bashkohen SHBA-së në vendosjen e tarifave për vendet që blejnë naftë nga Rusia.

"Vetëm nëpërmjet një përpjekjeje të bashkuar për të ndërprerë të ardhurat që financojnë makinën e luftës së Putinit, do të jemi në gjendje të ushtrojmë presion të mjaftueshëm ekonomik për t'i dhënë fund vrasjeve të pakuptimta", thanë Besant dhe Grir.

Besant dhe Grir mirëpritën angazhimet e marra gjatë bisedës për të rritur presionin e sanksioneve dhe për të shqyrtuar mundësinë e përdorimit të aseteve të sekuestruara ruse në dobi të mbrojtjes së Ukrainës.

Më herët gjatë ditës, një zëdhënës i Ministrisë së Financave të SHBA-së u bëri thirrje aleatëve të G7 dhe Bashkimit Evropian të vendosin "tarifa të konsiderueshme" për mallrat nga Kina dhe India, për të ushtruar presion që të ndalojnë blerjen e naftës ruse.

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, ka vendosur një tarifë shtesë prej 25 për qind mbi importet nga India për të ushtruar presion mbi Nju Delhin që të ndalojë blerjen e naftës bruto ruse me zbritje, duke i çuar tarifat ndëshkuese totale mbi mallrat indiane në 50 për qind dhe duke përkeqësuar bisedimet tregtare midis dy vendeve.

Por Trampi është përmbajtur nga vendosja e tarifave shtesë mbi importet kineze sepse Pekini blen naftë ruse, ndërsa administrata e tij i përmbahet një armëpushimi delikat tregtar me Pekinin. sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR