• e premte, 05 dhjetor 2025

Miliona amerikanë pritet të marrin pjesë në protestat kundër Trampit në SHBA

Miliona amerikanë pritet të marrin pjesë në protestat kundër Trampit në SHBA

Uashington, 18 tetor 2025 (MIA) - Protesta në më shumë se 2.600 lokacione të quajtura "Pa mbretër" (No kings) janë planifikuar të zhvillohen sot në të 50 shtete të SHBA-së, mobilizim masiv kundër politikave të presidentit Donald Tramp mbi migracionin, arsimin dhe sigurinë që organizatorët thonë se po e shtyjnë vendin drejt autokracisë.

Protesta e dytë e tillë e kësaj shkalle, në qytete, periferi dhe qyteza të vogla në të gjithë SHBA-në pas atyre në qershor, shihet si një masë e frustrimit të kundërshtarëve të agjendës konservatore që është përhapur shpejt në të gjithë vendin.

Pasi Trampi mori detyrën 10 muaj më parë, administrata e tij ka rritur masat kundër migracionit, ka ndërmarrë hapa për të zvogëluar aparatin shtetëror dhe ka zbatuar shkurtime fondesh për universitetet elitare për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështje të tilla si protestat pro-palestineze, diversiteti etnik, racor dhe gjinor në kampuset dhe politikat transgjinore.

Senatori progresiv Berni Sanders dhe kongresmenja Aleksandra Okasio-Kortez, një demokrate progresive, kanë mbështetur protestat, së bashku me ish sekretaren e shtetit Hillari Klinton e cila humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 ndaj Trampit. Një numër i personaliteteve të famshëm e kanë mbështetur gjithashtu lëvizjen.

Në qershor, u zhvilluan më shumë se 2.000 protesta “Pa mbretër”, kryesisht pa incidente, në ditën kur Trampi festoi ditëlindjen e tij të 79-të dhe mbajti paradë ushtarake në Uashington.

Dana Fisher, profesoreshë në Universitetin amerikan në Uashington dhe autore e disa librave mbi aktivizmin amerikan, parashikoi se e shtuna mund të jetë pjesëmarrja më e madhe në protesta në historinë moderne të SHBA-së. Ajo pret që më shumë se tre milionë njerëz të marrin pjesë, bazuar në regjistrimet dhe pjesëmarrjen në ngjarjet në qershor.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR