Milicia e fuqishme irakiane kërcënon Trampin
- Milicia shiite e fuqishme nga Iraku, e cila mbështetet nga Irani, publikoi se do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme nëse administrata e Trampit përfshihet në konfliktin izraelito-iranian.
- Post By Sara Ademi
- 09:07, 20 qershor, 2025
Bagdad, 20 qershor 2025 (MIA) - Milicia shiite e fuqishme nga Iraku, e cila mbështetet nga Irani, publikoi se do të sulmojë bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme nëse administrata e Trampit përfshihet në konfliktin izraelito-iranian.
"Konfirmojmë, me një qartësi ende më të madhe, se nëse SHBA hyn në këtë luftë, Trampi i shpërqendruar do t'i humb të gjitha trilionat nga ky rajon për të cilin ëndërron. Për atë qëllim janë vendosur plane operative", tha Abu Ali al-Askarim shefi për siguri i Kataib Hezbollahut.
"Pa dyshim, bazat amerikane në të gjithë rajonin do të bëhen terrene gjuetie", shtoi ai.
Shtëpia e Bardhë dje publikoi se presidenti amerikan do të marrë vendim në afat prej dy javësh nëse do të fillojë sulm ndaj Iranit.
Al-Askari kërcënoi gjithashtu të mbyllë ngushticën e Hormuzit midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, si dhe rrugën e ngushtë ujore Bab-el-Mandeb që të çon në Detin e Kuq nga jugu. "Portet e naftës përgjatë Detit të Kuq do të pushojnë së funksionuari, për të mos përmendur surprizat e paparashikuara që mund të presin avionët e tyre në qiell," tha ai.
SHBA tha në janar të vitit të kaluar se Kataib Hezbollah me siguri qëndron pas një sulmi me dron në një bazë të vogël amerikane në Jordani të njohur si Kulla 22. Sulmi vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi më shumë se 30 të tjerë. sa/
foto: EPA