• e premte, 05 dhjetor 2025

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale

Prishtinë, 8 gusht 2025 (MIA)- Mijëra qytetarë kanë protestuar kundër Gjykatës Speciale në protestën e organizuar nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë. 

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në fjalimin e mbajtur në protestë ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë. 

Protestuesve u është drejtuar edhe Nevenka Tromp, ish hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit. 

Ajo ka theksuar se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Tromp ka deklaruar se gjykata, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme, informojnë mediat e atjeshme.

Ndërkohë Ali Ahmeti, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, ka thënë se populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, siç ka theksuar, me gjithë respektin për ta. Ai ka thënë se Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës. 

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka falënderuar qytetarët e shumtë që dolën në protestën e të enjtes kundër Gjykatës Speciale. 

“Jemi pa fjalë. Sot folët ju, qytetarë të zakonshëm me zemër të jashtëzakonshme. Faleminderit për madhështinë tuaj! Faleminderit edhe mediave që e bënë zërin tonë të padëgjuar të dëgjohet kudo. Në emër të Këshillit Organizues, përjetësisht: faleminderit! Kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”, thuhet në mesazhin e OVL-UÇK. 

Foto: Kosovapress

QËNDRONI TË LIDHUR