• e shtunë, 22 shkurt 2025

Mijëra palestinezë të shpërngulur nga Gaza u nisën për t'u kthyer në shtëpitë e tyre

Mijëra palestinezë të shpërngulur nga Gaza u nisën për t'u kthyer në shtëpitë e tyre

Gazë, 19 janar 2025 (MIA) - Mijëra palestinezë të shpërngulur për shkak të luftës, sot janë kthyer në shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës, pasi hyri në fuqi armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, transmetoi Beta. 

Mijëra njerëz mbërritën në Xhabalia nga qyteti i Gazës në territorin verior palestinez.

Lëvizje të tjera të popullsisë u vunë re në sektorët Rafa dhe Kan Junis në jug, sipas dëshmitarëve okularë.

Armëpushimi i shumëpritur në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës zyrtarisht hyri në fuqi sot paradite, njoftojnë agjencitë. Këtë e kumtuan nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, si dhe nga Katari, ndërmjetësues kyç në negociatat. 

Katari, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, do të monitorojnë zbatimin e marrëveshjes. Fillimi i armëpushimit u shtye për tre orë për shkak të vonesës së Hamasit për të siguruar emrat e tre pengjeve që sot do të lirohen si pjesë e marrëveshjes për armëpushim. 

Madje edhe para hyrjes në fuqi të armëpushimit, mijëra palestinezë të zhvendosur u nisën me gjërat e tyre në udhëtimin e tyre për në shtëpitë e tyre në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të shkatërruar të Gazës, tregojnë pamjet.

Në Xhabalia, në veriun e largët të Gazës, ku operacionet intensive ushtarake izraelite janë kryer që nga tetori, banorët po zbulojnë një peizazh apokaliptik rrënojash.

Sipas presidentit amerikan në largim, Xho Bajden, faza e parë e marrëveshjes përfshin tërheqjen e Izraelit nga zonat me popullsi të dendur të Gazës dhe një rritje të ndihmës humanitare në territoret ku kërcënohet uria.

Lufta në Gazë filloi me sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit 2023, kur u vranë më shumë se 1.200 njerëz, ndërsa 251 u morën peng. Nga ky numër, 94 janë ende në Gazë, ndërsa ushtria izraelite beson se 34 janë të vdekur. 

Të paktën 46,899 njerëz janë vrarë në kundërofensivëv izraelite, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit, të cilat OKB i konsideron të besueshme.

Hamasi, i cili e mori pushtetin në Gazë në vitin 2007, është dobësuar ndjeshëm, por është ende larg shkatërrimit, në kundërshtim me qëllimin e vendosur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, konsiderojnë ekspertët. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR