• e enjte, 27 qershor 2024

Micotakisi dhe Zelenski nënshkruan deklaratë të përbashkët për rrugën euroatlantike të Ukrainës

Micotakisi dhe Zelenski nënshkruan deklaratë të përbashkët për rrugën euroatlantike të Ukrainës

Athinë, 21 gusht 2023 (MIA) – Kryeministri grek Kiriakos Micotakis dhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski pasditen e sotme nënshkruan deklaratë të përbashkët për rrugën euroatlantike të Ukrainës, kumtoi vetë Micotakisi në konferencën e përbashkët për shtyp me mysafirin nga Ukraina pas takimit të tyre, transmetojnë mediat greke.

Presidenti ukrainas ka udhëtuar për vizitë të paparalajmëruar në kryeqytetin grek, ku më vonë sonte do të marrë pjesë në një darkë dhe diskutim joformal me liderët e rajonit, me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel.

“Ne kundërshtojmë çdo veprim të paligjshëm”, tha kryeministri grek në konferencën për shtyp.

Ai është fokusuar në lidhjet historike të Greqisë me Ukrainën dhe qytetarët ukrainas me origjinë greke.

"Askush nuk i harron krimet në Mariopol, e njëjta vlen edhe për Odesën, si dhe për Kievin dhe rajonet e tjera të vendit tuaj", ka thënë Micotakisi duke shtuar se Greqia dënon pa kushte krimet e luftës në Ukrainë.

“Rusia ka përdorur gazin natyror si armë dhe së fundmi ka ndërprerë marrëveshjen për grurin. Mbi 50 për qind e drithit eksportohet në anije greke. Greqia po zbaton të gjitha sanksionet kundër Rusisë, ne do ta ndihmojmë rrugën tuaj evropiane, nënshkruam një deklaratë të përbashkët për rrugën euroatlantike të Ukrainës. Mbështetja jonë do të vazhdojë. Porti i Aleksandropolisit është qendër, do të bëhet së shpejti një qytet -port për gazin natyror”, tha kryeministri grek.

Zelenski nga ana tjetër falënderoi Greqinë për mbështetjen e saj dhe ofertën për ta mbështetur siç tha, "trajnimin e pilotëve për aeroplanët F-16".

Presidenti ukrainas shtoi se vendi i tij ka nevojë për ndihmë nga Greqia për të mbajtur të hapur korridorin e eksportit të grurit.

Zelenski në Athinë pasditen e sotme u takua edhe me presidenten greke, Katerina Sakelaropulu.

Foto: kabineti i Micotakisit

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR